Pse pasardhësi i Merkel mund të jetë një katastrofë për Gjermaninë
“The die is cast“ (Gjërat kanë marrë tashmë drejtimin e tyre), tha Markus Söder në një konferencë shtypi të martën kur njoftoi tërheqjen nga gara për ta lejuar rivalin e tij Armin Laschet të garojë si kandidat për kancelar nga radhët e konservatorëve në zgjedhjet e ardhshme në Gjermani.
Dhe kjo u tha me elegancë nga një burrë që mendoi se elita e CDU-së kishte marrë një vendim të gabuar me pasoja katastrofike. Söder ishte kandidati më popullor për kancelar. Ai kishte një epërsi prej 20 për qind në sondazhe ndaj rivalëve të tjerë. Söder, kryeministër i landit të Bavarisë, fitoi mbështetjen e shtetit të tij por dhe publikut të gjerë gjerman përmes veprimeve të tij të drejtpërdrejta dhe vendimtare gjatë pandemisë.
Me bavarezin karizmatik në krye, CDU/CSU e Angela Merkel do të kishte një shans të mirë jo vetëm për të mbajtur pushtetin, por edhe për të fituar zgjedhjet me lehtësi. Ndërkohë, kandidati i zgjedhur i CDU/CSU, Laschet, është shumë i papëlqyeshëm.
Një sondazh i kryer menjëherë pasi u konfirmua kandidatura e tij,i vendosi të Gjelbrit gjermanë 7 për qind përpara partisë së tij. Si drejtues i landit Nordrhein Westfalen, shteti më i populluar i Gjermanisë, Laschet shkaktoi kohët e fundit zemërimin e shefes së tij në Berlin, por edhe të publikut të gjerë.
Personaliteti i tij është po aq dekurajues sa edhe busulla e tij politike që është tërësisht jashtë kursit të duhur. Përzgjedhja e tij si kandidat për kancelar, ishte një zgjedhje thjesht taktike për konservatorët, produkt i politikës së brendshme të pushtetit.
Elita e CDU-së mendon se po luan një lojë të gjatë:ajo synon ta lërë Laschet të dështojë, t’i japë partisë kohë për t’u de-merkelizuar, dhe pastaj të tërhiqet para zgjedhjeve të ardhshme. Ky do të ishte një plan i mirë vetëm nëse supozohet se elektorati është një masë gri, sjellja e të cilit është gjithsesi e parashikueshme.
Në realitet,kjo është një skemë e rrezikshme që dëmton rëndë demokracinë gjermane. Mund të supozohet vetëm se udhëheqësit e CDU-së, e kanë harruar që në vitin 2017, ata rikthyen rezultatin e tyre më të ulët historik që nga viti 1949, me një pjesëmarrje historikisht të ulët, pasi njerëzit u bënë gjithnjë e më të pakënaqur me establishmentin politik gjerman.
Merkel i zhvendosi konservatorët e krishterë aq shumë në qendër, saqë ata u bënë të padallueshëm nga partnerët e tyre të koalicionit, Social Demokratët.
Dhe nëse kësaj i shton një Parti të Gjelbër të diktuar nga konsensusi,dhe partitë politike dikur të dallueshme, janë që të gjitha sot të padallueshme nga njëra-tjetra. Votuesit gjermanë të qendrës kanë shumë parti për të votuar në zgjedhjet e shtatorit, por ekziston ndërkohë një hapësirë boshe në skajin e djathtë të spektrit politik.
Söder mund ta kishte mbushur këtë boshllëk. CSU-ja e tij katolike është më konservatore sesa partia simotër, CDU-ja e Merkel. Gjithashtu, ai ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me disa çështje të diskutueshme të tilla si politika e imigracionit, apo reagimi i dobët i BE-së ndaj Covid-19.
Bavaria mund të ketë qenë në duar të sigurta, për ta shpërndarë për dekada“avullin politik” që po nxehej nën “kapakun” centrist të Gjermanisë. Për vite, joshja ndaj Merkel ka ndihmuar në mbajtjen në këmbë të partisë së saj.
Duke u mbështetur mbi një koncept që e quajti “mobilizimi asimetrik”, ajo tërhoqi më shumë votues në qendrat e votimit sesa konkurrentët e saj politikë që nuk frymëzonin. Megjithatë, pasardhësi i saj Laschet nuk ka një karizmë të tillë. Prandaj, pyetja kryesore është:çfarë do të bëjë masa e madhe e gjermanëve politikisht të “pastrehë”, kur asnjë parti nuk është në gjendje që t’u japë atyre një strehës?
Shumë gjermanë mund të vendosin thjesht të qëndrojnë në shtëpi, dhe të mbajnë bindjet e tyre politike derisa të rihapen baret e Gjermanisë. Disa mund t’i drejtohen FDP, një parti ekonomikisht liberale e qendrës së djathtë. Por të tjerët mund ta shfryjnë zemërimin e tyre duke votuar për AfD, veçanërisht në ish-Gjermaninë Lindore.
Sidoqoftë, partia e ekstremit të djathtë ka humbur shumë mbështetje kohët e fundit për shkak të qëndrimit të saj të çuditshëm ndaj Covid-19, që është shoqëruar me teori konspiracioni dhe qëndrime kundër vaksinimit. Por mungesa e larmisë politike në ofertën elektorale, nuk do të thotë që gjermanët do të gëlltisin gjithçka që u vë përpara elita politike.
Emërimi i Laschet ka krijuar një boshllëk të paqëndrueshëm pushteti, të cilin nuk po kujdeset që ta mbushë asnjëra nga partitë tradicionale. Kjo tregon për arrogancën e madhe dhe vetëkënaqësinë që ka partia politike më e suksesshme e vendit,duke refuzuar të paraqesë një kandidat që mund ta plotësojë atë boshllëk.
Por gjërat kanë hyrë tashmë në kursin e tyre, dhe palët po përgatiten për betejë. Lidershipi i Armin Laschet në CDU është dëmtuar jo pak nga lufta e brendshme. Shumë nga “ushtarët” e tij politikë i kanë premtuar hapur besnikëri Söder.
Ndërkohë, ky i fundit u ka kërkuar mbështetësve të tij në CSU që tani të mbështesin rivalin e tij të dikurshëm. Por apeli i Söder për unitet u trondit me recitimin që ai i bëri fjalëve të Jul Çezarit gjatë kohës që ai kaloi Rubikonin dhe filloi një luftë civile./ abcnews.al























