Meksika do të marrë mbi 20 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19
BKT
   Bota

Meksika do të marrë mbi 20 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard njoftoi se vendi i tij do të marrë mbi 20 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 përmes mekanizmit COVAX.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard të mërkurën njoftoi se vendi i tij do të marrë mbi 20 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 përmes mekanizmit COVAX, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja në të cilën Meksika siguroi mbi 50 milionë doza të vaksinave nga mekanizmi u njoftua në një konferencë për media në fund të shkurtit ndërsa Ebrard shprehu shqetësim lidhur me mungesën e përmbushjes së COVAX.

"COVAX nuk ka dorëzuar një vaksinë të vetme dhe 51.5 milionë doza janë blerë për 25.75 milionë njerëz. Sot, ne presim që ato do të na tregojnë kur do t'i dorëzojnë sepse dhjetori, janari dhe shkurti kanë kaluar tashmë. COVAX është i vetmi instrument (për sigurimin e shpërndarjes së vaksinave në të gjithë botën). Jemi të shqetësuar se po kërkon kohë dhe njëkohësisht, blerja e më shumë dozave po njoftohet nga vendet që grumbullojnë", tha ai.

Meksika ka administruar 15 milionë doza të vaksinave që nga fillimi i fushatës së saj të vaksinimit dhe mbi 4 milionë doza të dyta.

Njoftimi i së mërkurës vjen mes një kontroverse rreth vaksinave të rreme Pfizer që administrohen në Meksikë.

Sipas “The Wall Street Journal”, mbi 80 doza uji të destiluar u administruan në një klinikë në shtetin Nuevo Leon në veri të Meksikës për rreth 1.000 dollarë për një dozë.

Autoritetet kanë arrestuar 6 persona. Të prekurit nuk kanë treguar shenja të ndonjë ndërlikimi shëndetësor.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Meksikës, vendi ka rreth 2.504.076 raste me COVID-19 ndërsa 213.597 viktima dhe mbi 1.76 milion persona të shëruar.