Gjermania parashikon blerjen e 30 milionë dozave të Sputnik V

Gjermania parashikon blerjen e 30 milionë dozave të Sputnik V

Gjermania parashikon blerjen e 30 milionë dozave të vaksinës ruse antiCOVID-19 Sputnik V, që nuk ka marrë ende dritën e gjelbër të Evropës, theksoi sot kryeministri i landit gjerman të Saxe, Michael Kretschmer.

“Ne mbështesim fuqimisht një proces të shpejtë miratimi deri në maj”, shkroi në Twitter deputeti konservator, i cili ka zhvilluar bisedime me ministrin rus të Shëndetësisë, Mihail Murashko për blerjen e 30 milionë dozave midis qershorit dhe gushtit.

Kretschmer ka qenë në një vizitë disa ditore në Rusi, pavarësisht një konteksti të tensionuar midis Moskës dhe Berlinit, për shkak të përqendrimit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën dhe çështjes së opozitarit Aleksei Navalny, i trajtuar në Gjermani pas një helmimi dhe që është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn e justifikoi vendimin e Berlinit për ta ndjekur këtë çështje duke refuzuar Komisionin Evropian për të negociuar në emër të 27-ve për blerjen e Sputnik V, çka bie në kundërshtim me atë që Gjermania ka bërë deri tani me vaksinat e tjera kundër Covid-19.

Nga ana e saj Bavaria kishte negociuar një “kontratë paraprake” për të marrë 2,5 milionë doza të vaksinës ruse, subjekt i dritës jeshile të EMA-s.

Rajoni i Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore ka ndjekur shembullin duke njoftuar gjithashtu një porosi paraprake./atsh