Bagazhet e rusëve të dëbuar nga Çekia, zbulojnë se ata ishin agjentë

Bagazhet e rusëve të dëbuar nga Çekia, zbulojnë se ata ishin agjentë

Edhe pse nuk janë bërë publikë emrat e 18 spiunëve rusë të deportuar, që në Republikën e Çekisë kryenin aktivitete spiunazhi nën petkun e “diplomatit”, gazetarët çekë kanë arritur që përmes emrave që gjendeshin në bagazhet e të dëbuarve, të mësojnë emrat e 12 nga 18 agjentët rusë.


Sipas emrave në bagazhet e të deportuarve, një nga të dëbuarit është Viktor Viktorovich Budjak i cili në Ambasadën e Rusisë në Pragë kishte pozitën e atasheut ushtarak ajror. Budjak kishte zëvendësuar ish-atasheun rus Yevgeny Borisenko, i cili në qershor të vitit të kaluar ishte arrestuar nga policia çeke për blerje ilegale të municioneve për pushkë snajper dhe më pas ishte deportuar nga Çekia.

Në Ambasadat ruse pozita e atasheut ushtarak ajrorë është pozitë e lartë diplomatike, pozitë të cilën e marrin oficerët e lartë të Shërbimit inteligjent ushtarak rus GRU.  Andaj strukturat çeke të sigurisë kishin vlerësuar se blerja ilegale e municioneve për snajper ishte bërë për nevoja të GRU-së, çka len të kuptohet se do të përdoreshin për likuidime të personave me interes për GRU-në.

Shërbimi inteligjent çek i kishin identifikuar Yevgeny Borisenko  dhe Viktor Viktorovich Budjak si oficerë të lartë të GRU-së.E përjavshmja çeke “Respekt”, ka arritur të siguroj foto të Budjak, foto e shkrepur pak ditë para se të depërtohet nga Çekia, gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljes për kryetarin e komunistëve çek, Vojtech Filip.

Sipas “Respekt”, Budjak bashkëpunon me njësinë speciale të GRU, të njohur si “Njësia 29155”, njësi e cila merret me likuidimin e personave me interes për Rusinë.

Bazuar nga inicialet apo emrat e të dëbuarve që janë parë në valixhe, një nga të dëbuarit është edhe zëvendës ambasadori rus Alexandr Antonov, i cili vitin e kaluar ishte i përfshirë në çështjen e  dezinformimit të opinionin në çeki, në lidhje me lajmin se shërbimet ruse kishin plane për likuidimin e dy politikanëve çek.

Midis të dëbuarve janë edhe sekretari i parë i Ambasadës ruse, Aleksei Kolmakov dhe sekretari Yevgeny Golikov, të cilët publikisht ishin të përfshirë në veprime kundër heqjes së statujës së Marshallit Konev.

Në listën e të dëbuarve janë edhe:

Sekretaret e ambasadës, Andrei Makarenko, Anton Belov, Konstantin Shevchuk, Maxim Krailin, Alexei Triakin dhe Alexander Dudnik. Atasheu politik Yuri Yegorov dhe zëvendës përfaqësuesi i shitjeve Dimitri Moskovkin.