Akuza dhune për Greqinë ndaj refugjatëve në det
BKT
   Bota

Akuza dhune për Greqinë ndaj refugjatëve në det

OJQ-ja Qendra Ligjore Lesvos, përqendrohet në një incident të tetorit të vitit të kaluar. Një anije peshkimi u nis nga Marmaris në Turqi për në Itali me rreth 200 persona, përfshirë 40 fëmijë dhe një grua shtatzënë. Anija hasi në vështirësitë e një stuhie në brigjet jugore të Kretës, duke e bërë kapitenin të raportonte në radio për ndihmë.

Një proces gjyqësor i ngritur kundër shtetit grek në gjykatën europiane të të drejtave të njeriut akuzon Athinën për një nivel tronditës të dhunës. Kjo, në operacione të sofistikuara në agjenci të ndryshme që formojnë një pjesë të një strategjie të paligjshme për të ndaluar mbërritjen e refugjatëve dhe migrantëve, shkruan The Guardian.

Padia e ngritur nga OJQ-ja Qendra Ligjore Lesvos, përqendrohet në një incident të tetorit të vitit të kaluar. Një anije peshkimi u nis nga Marmaris në Turqi për në Itali me rreth 200 persona, përfshirë 40 fëmijë dhe një grua shtatzënë. Anija hasi në vështirësitë e një stuhie në brigjet jugore të Kretës, duke e bërë kapitenin të raportonte në radio për ndihmë.

Çështja ligjore pretendon se një operacion me madhësi dhe sofistikim të këtillë, nuk i ndihmoi njerëzit e bllokuar në bord. Një anije greke kërkimi dhe shpëtimi dhe dy anije të vogla patrullimi bllokuan varkën e kontrabandistit për pesë orë derisa mbërritën skafet që mbanin komando të maskuar. Disa pasagjerë pretendojnë se ata ishin rrahur në incidentin pasues.

Ata që ishin në bord u ndanë në dy grupe dhe u dërguan në dy anije të mëdha të rojes bregdetare. Aty ku dy ekuipazhe të armatosur prej 10-15 burrash, i kontrolluan dhe u konfiskuan sendet duke përfshirë telefonat, pasaportat dhe paratë.

Pasagjerët më pas thuhet se u detyruan të drejtoheshin në disa barka të vogla shpëtimi. U tërhoqën përsëri në ujërat turke dhe u braktisën në det pa ushqim, ujë, xhaketa shpëtimi ose ndonjë mjet për të thirrur për ndihmë. Në kohën që ata u morën nga rojet bregdetare turke, kalvari i tyre kishte zgjatur më shumë se 24 orë.

“Ishte si të shikoja një film. Burrat nga skafet u hodhën në bord duke bërtitur, të gjithë kishin armë dhe thika dhe kishin veshur rroba të zeza dhe maska”, tha Mahmoud, një dëshmitar nga Siria emri i të cilit është ndryshuar.

“Ata filluan t’i rrahin njerëzit me shkop, duke kërkuar kapitenin. Ata më goditën me grushta në fytyrë dhe më thyen syzet … Unë e kuptoj që ata nuk na duan, por ju mund të na ktheni përsëri në Turqi pa pasur nevojë për dhunë. Kur na lanë në gomone, të gjithë menduam se do të vdisnim”, tha ai.

Procesi gjyqësor pretendon se praktika e “kthimeve mbrapa” është bërë standarde për rojet bregdetare greke që nga marsi i vitit 2020. Kohë kur Turqia, bënte përpjekje për të bërë presion ndaj BE-së. Ajo u tha 4 milionë refugjatëve të regjistruar se nuk do t’i ndalonte më përpjekjet e tyre për të arritur në Europë, në një marrëveshje të vitit 2016 midis Ankarasë dhe Brukselit.

Athina reagoi duke ndaluar përkohësisht të gjitha kërkesat e reja për azil duke përdorur taktika gjithnjë e më brutale për të larguar njerëzit që të udhëtojnë në Turqi.

Shifrat e sakta janë të vështira për t’u verifikuar, por grupet e të drejtave dhe gazetarët kanë regjistruar qindra incidente të kthimit mbrapa gjatë 12 muajve të fundit. Në shumicën e rasteve, njerëzit që përpiqen të kalojnë Egjeun janë përgjuar dhe tërhequr përsëri në ujërat turke.

Ata pastaj lirohen ose lihen në anijet e tyre, pasi rojet bregdetare greke ua çaktivizojnë motorët, ose nëpër gomone të mbipopulluara të shpëtimit.

Në disa raste njerëzit pretendojnë se janë kthyer mbrapa pasi kanë zbritur në tokën greke dhe pasagjerët janë braktisur në një ishull të pabanuar turk së paku dy herë, sipas raportimeve nga Der Spiegel, Lighthouse Reports dhe New York Times.

Në të paktën një rast, agjencia kufitare e BE-së, Frontex, akuzohet për fshehjen e provave të një operacioni grek.

Këto dëbime kolektive, siç dihen, janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar por jo sipas ligjit kombëtar grek.