Komisioni Europian deklarohet kundër ndryshimeve të kufijve në Ballkan
Tash e më shumë se një javë, mediat në rajon por edhe më gjerë, kanë shkruar për idetë për ndryshimin e kufijve të vendeve në rajonit të Ballkanit si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Zëdhënësi i Komisionit Europian, Eric Mamer tha në një konferencë për media se qëndrimi i Bashkimit Europian rreth ideve për ndryshimin e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është i qartë dhe se nuk ka nevojë për asnjë ndryshim kufijsh.
Ai i ka bërë këto deklarata kur është pyetur se cili është qëndrimi i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen rreth ideve për ndryshim të kufijve, qoftë përmes dyshimeve se për këtë ka pasur një “non paper” slloven, apo ideve të tilla që qarkullojnë nëpër qarqe të ndryshme.
“Përveç letrës që përmendet, e së cilës i referohen shumë e ne nuk e kemi parë, nuk jemi në dijeni për idetë tjera për këtë dhe e dini shumë mirë pozicionin e qartë të BE-së që e kemi përsëritur shumë herë. Ne nuk jemi në asnjë mënyrë në favor të çfardo ndryshimi të kufijve. Duhet ta lëmë këtë çështje të mbyllur një herë e përgjithmonë. Pa marrë parasysh se a kanë ardhur letra, a do të vijnë letrat apo jo, qëndrimi jonë është shumë i qartë në këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i KE, Eric Mamer.
Tash e më shumë se një javë, mediat në rajon por edhe më gjerë, kanë shkruar për idetë për ndryshimin e kufijve të vendeve në rajonit të Ballkanit si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Mediat në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni kanë shkruar se për këto ide kryeministri slloven Janez Jansha, vendi i së cilit merr së shpejti edhe kryesimin e radhës të BE-së, kishte dorëzuar një “non paper” me këtë ide.Por, në BE kanë thënë disa herë se “nuk e kanë parë një letër të tillë”.
Disa shtete të BE-së, e më së shumti Gjermania, janë shprehur kundër ideve të tilla duke i quajtur si të rrezikshme.























