Draghi: Me planin e rimëkëmbjes, Italia po luan besueshmërinë e saj
BKT
   Bota

Draghi: Me planin e rimëkëmbjes, Italia po luan besueshmërinë e saj

Italia po luan fatin, besueshmërinë dhe reputacionin e saj me planin e rimëkëmbjes së financuar nga Bashkimi Europian, të cilin duhet ta paraqesë në Bruksel deri të premten, paralajmëroi sot kryeministri italian, Mario Draghi.

“Me këtë plan vihet në rrezik gjithashtu dhe veçanërisht fati i vendit”, pohoi ai gjatë një fjalimi para Parlamentit.

“Ky plan do të paraqesë masën e asaj që do të jetë roli i Italisë brenda bashkësisë ndërkombëtare, besueshmërinë dhe reputacionin e saj si themeluese e BE-së dhe protagoniste e botës perëndimore”, shtoi Draghi.

Sipas kreut të qeverisë italiane, plani ka tre objektiva kryesore, i pari prej të cilëve, në një periudhë afatshkurtër, është “të riparojë dëmin ekonomik dhe shoqëror të shkaktuar nga epidemia COVID-19”.

Dy objektivat e tjerë të këtij plani, më shumë në planin afatmesëm dhe afatgjatë, janë një tranzicion ekologjik nga njëra anë dhe nga ana tjetër zgjidhja e “dobësive që kanë prekur ekonominë dhe shoqërinë italiane për dekada”, të tilla si boshllëqe zhvillimi midis rajoneve të ndryshme ose rritje e ulët e produktivitetit.

Italia është përfituesi kryesor i planit europian të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, me 191,5 miliardë euro në kredi dhe grante.

Kësaj shume i shtohet edhe një fond shtesë prej 30,6 miliardë eurosh, i programuar nga Italia për gjashtë vjet, nga 2021 deri në 2026./atsh