India mobilizon ushtrinë në mes të krizës kritike COVID-19
India njoftoi sot mobilizimin e forcave të armatosura për të ndihmuar vendin në luftën kundër krizës kritike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, që ka mbingarkuar sistemin e kujdesit shëndetësor dhe me qytete, si Nju Delhi, me mungesa të oksigjenit mjekësor, shtretërve spitalorë dhe madje edhe të hapësirave për të organizuar funerale.
Sipas të dhënave nga Ministria Federale e Shëndetësisë, për të pestën ditë rresht, India ka regjistruar një ngarkesë të re rekord, me 352 991 raste në 24 orët e fundit, si edhe 2 812 vdekje në lidhje me COVID-19, duke e bërë atë ditën më vdekjeprurëse që nga fillimi i pandemisë.
“Në sfondin e krizës rekord të COVID-19, i gjithë personeli mjekësor i forcave të armatosura, në pension në dy vitet e fundit, do të mobilizohet për të punuar në objektet COVID-19 pranë shtëpive të tyre”, i raportoi kreu i Shtabit të Mbrojtjes së Indisë, gjenerali Bipin Raëat, kryeministrit Narendra Modi, gjatë një takimi.
Duke informuar Modin rreth përgatitjeve të ushtrisë për t’u marrë me krizën, Raëat tha se “bombolat e oksigjenit të disponueshme për ushtrinë do të drejtohen për në spitalet që kanë nevojë”.
Zyrtarëve të tjerë mjekësorë në pension u është kërkuar që të ofrojnë konsulta përmes linjave të ndihmës urgjente, sipas një deklarate të qeverisë.
Personeli infermieror dhe zyrtarët mjekësorë në emërimet e stafit në selinë ushtarake do të vendosen për të mbështetur punonjësit e mbingarkuar të shëndetit.
Spitalet, pacientët dhe familjet e miqtë e tyre në qytetet kryesore kanë lëshuar thirrje të dëshpëruara për oksigjen mjekësor, shtretër spitalorë dhe ilaçe.
Shumë pacientë janë detyruar t’i drejtohen tregut të zi, ku çmimet e ilaçeve që shpëtojnë jetën dhe të bombolave të oksigjenit kanë kapur majat./atsh























