Macron i bën presion Putin-it për Ukrainën dhe shëndetin e Navalny
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron thërret me telefon Putin-in dhe i kërkon të terhiqet nga Ukraina dhe gjithashtu të merret me shëndetin e liderit opozitar, Alexei Navalny.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një bisede telefonike me presidentit Putin, ka kërkuar nga ai që të ulë tensionet me Ukrainën, si dhe ka shprehur shqetësime serioze në lidhje me shëndetin e renduar të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny.
Presidenti Macron, në kuadër të uljes së tensioneve me Ukrainën, i ka kërkuar presidentit Putin që të tërheqë trupat ushtarake dhe armatimet e rënda nga kufiri me Ukrainën. Grumbullimi i madh i trupave ushtarake kishte shqetësuar perëndimin dhe Ukrainën, e cila gjithashtu kishte rritur prezencën ushtarake në brezin kufitar dhe rajonet separatiste të Donjeck dhe Luhansk, rajone këto të okupuara nga forcat paramilitare ruse gjatë konfliktit të vitit 2014.
Në lidhje me shëndetin e Navalny, Macron i ka kërkuar Putinit që shëndetit të Navalny t’i kushtohet vëmendje e plotë, në mënyrë që t’i shpëtohet jeta, pas deklaratave shqetësuese të mjekëve që kujdesen për shëndetin e Navalny.
Bëhet e ditur se tashmë Navalny është transferuar nga spitali i burgut ne një spital tjetër, ku mjekët janë duke u kujdesur për shëndetin e rënduar pas grevës së urisë, të cilën Navany e përfundoi pas kërkesës së mjekëve.























