OKB: 29 milionë njerëz në Sahel kanë nevojë për ndihmë humanitare
BKT
   Bota

OKB: 29 milionë njerëz në Sahel kanë nevojë për ndihmë humanitare

Konflikti në Sahel është përkeqësuar dhe është përhapur në zona të reja, tha UNHCR në një raport.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, 29 milionë persona në Sahel dhe pellgun e Lumit të Çadit kanë nevojë për ndihmë humanitare në vitin 2021, raporton Anadolu Agency (AA).

Konflikti në Sahel është përkeqësuar dhe është përhapur në zona të reja, tha UNHCR në një raport.

Civilët përfundojnë duke paguar çmimin. Për shkak të një numri në rritje të sulmeve vdekjeprurëse nga grupe terroriste, dhunës me bazë gjinore, zhvatjes ose frikësimit, 5,3 milionë midis tyre janë të detyruar të largohen.

Theksohet se si në Sahelin Qendror ashtu edhe në Pellgun e Liqenit të Çadit, dhuna nuk tregon asnjë shenjë uljeje. Gjithashtu thuhet se incidentet e sigurisë, sulmet dhe rrëmbimet janë një realitet i përditshëm për miliona civilë.

Nga viti 2015 deri në vitin 2020, numri i sulmeve të dhunshme është rritur tetëfish në Sahelin Qendror dhe u trefishuan në Pellgun e Liqenit të Çadit, sipas UNHCR-së.

"Përgjigja jonë ndaj asaj që është një krizë e paparë humanitare dhe e mbrojtjes, që shkakton zhvendosjen e miliona personave, duhet të përfshijë po ashtu komunitetet pritëse të cilat me bujari ndajnë pak resurse që kanë", tha Xavier Creach, koordinator i UNHCR-së për rajonin e Sahelit në një postim në Twitter.

"Ne duhet të sigurojmë që komunitetet e zhvendosura dhe pritëse të vazhdojnë të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore, në një kohë kur pandemia COVID-19 ka një ndikim shkatërrues në jetesën, veçanërisht ata që jetojnë për një kafshatë goje", shtoi Creach.

Raporti tha se ndikimi i dhunës mbi gratë dhe fëmijët është shkatërrues. Në kontekstet e emergjencave, incidentet e dhunës me bazë gjinore (GBV) rriten.

"Gratë dhe vajzat në komunitetet lokale janë të ekspozuara ndaj rrezikut të përhapur dhe në rritje të rrëmbimit, martesës me forcë, sulmit seksual dhe përdhunimit", thuhet në raport.

UNHCR tha se vendet e Sahelit kanë shkallën më të lartë në botë të martesave të fëmijëve dhe të detyruar.

Në Burkina Faso, Çad, Mali dhe Niger, mes gjysmës dhe tre të katërtat e fëmijëve janë të martuar dhe një vajzë adoleshente në dy lind para moshës 18-vjeçare.