BE akuzon Rusinë dhe Kinën për dizinformim ndaj vaksinave anticovid
BKT
   Bota

BE akuzon Rusinë dhe Kinën për dizinformim ndaj vaksinave anticovid

Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS) boton raportin ku thuhet se Kina dhe Rusia kanë nisur fushata për të prishur besimin në strategjinë e Bashkimit Europian për luftimin e koronavirusit  si dhe për të shtuar skepticizmin ndaj vaksinave të zhvilluara në Perëndim.

Sipas një raporti të BE-së Pekini dhe Moska po kërkojnë të minojnë besimin tek vaksinat perëndimore duke promovuar intensivisht të tyret.

Kina dhe Rusia kanë nisur fushata për të prishur besimin në strategjinë e Bashkimit Europian për luftimin e koronavirusit  si dhe për të shtuar skepticizmin ndaj vaksinave të zhvilluara në Perëndim, njoftoi Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS) në një raport mbi dizinformimin në lidhje me pandeminë COVID-19 të botuar të mërkurën, shkruan DW.

Sipas raportit, përpjekjet për “dizinformim të sponsorizuara nga shtetet” janë intensifikuar që nga fillimi i 2021, kur në të gjithë botën filloi shpërndarja e vaksinave me ritëm të përshpejtuar.

Ndërsa Kina dhe Rusia kanë rritur përpjekjet për të reklamuar vaksinat e tyre të prodhuara nga shteti, ato i kanë përdorur fushatat për promovimin e tyre për të “minuar besimin” në vaksinat perëndimore dhe institucionet e BE. Për të arritur këto qëllime, të dyja vendet “po përdorin mediat e kontrolluara nga shteti, mediat sociale, përfshirë dhe faqe zyrtare”, thuhet në raport.

Në Rusi, mediat shtetërore po përpiqen të “hedhin dyshime” ndaj Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) dhe e duke akuzuar atë për vonimin e miratimit të vaksinës ruse Sputnik V.

Një agjenci e pavarur ruse, që është përgjegjëse për marketingun e Sputnik V, deklaroi në një mesazh në Twitter se kundër Rusisë dhe vaksinës së saj po bëhet një fushatë dizinformimi duke shtuar: “Ne do të vazhdojmë t’i kundërvihemi fushatës së dizinformimit kundër Sputnik V në interes të mbrojtjes së jetëve në të gjithë botën dhe shmangies së monopolit të vaksinave, që po përpiqen të sigurojnë disa prodhues vaksinash.”

Kina nga ana tjetër propagandon “histori mashtruese” rreth origjinës së virusit Covid-19 si dhe sigurisë së disa vaksinave perëndimore.

Në raportin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së shprehet shqetësime se rritja e rasteve të koronavirusit në BE dhe shpërndarja e ngadaltë e vaksinave, po përdoren nga Rusia dhe Kina si shembuj për dështimin e demokracisë dhe të shoqërive të hapura.

Kina dhe Rusia po përpiqen të ushtrojnë ndikim sidomos në Ballkanin Perëndimor, thuhet në raportin e botuar nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS).

Megjithëse BE është kritikuar për një shpërndarje të vaksinave më ngadalë se sa pritej, BE thotë se pas shtimit të kapaciteteve prodhuese këtë verë pritet të jenë vaksinuar 70% e të rriturve.

Hungaria u nda nga pjesa tjetër e BE-së dhe po përdor vaksinat nga Rusia dhe Kina.

Në mars Agjencia Europiane e Barnave EMA filloi shqyrtimin e Sputnik V. Nëse EMA do të japë dritën e gjelbër Sputnik V do të jetë vaksina e parë e koronavirusit e prodhuar në një vend jo-perëndimor që mund të përdoret në BE.