​Mashtrimi me valutat digjitale, si u zhdukën paratë e 400 mijë qytetarëve?

​Mashtrimi me valutat digjitale, si u zhdukën paratë e 400 mijë qytetarëve?

Një krizë e brendshme ekonomike, legjislacionet e dobëta për kriptovalutat dhe premtimi për fitime të mëdha, e madje deri në mundësinë për të marrë një Porsche Panamera dhuratë, ishin faktorët që bënë që 400 mijë qytetarë turq të drejtohet nga fonde si Thodex, të menaxhuar nga Faruk Fatih Ozer.

“Njerëzit, duke pasur friken e zhvlerësimin e parave të tyre kanë kaluar në kriptovalutat, për shembull Bitcoin ka pasur një rritje me 200% në vit”, tha për A2 Fatjon Ceka, ekspert për kriptovalutat.

Ministria e Brendshme turke llogarit se portofoli i kompanisë, tashmë në duart e të arratisurit, kapte vlerën e rreth 108 milionë dollarëve. Para, që në formën e valutave digjitale mund të qëndrojnë edhe thjesht në një usb apo në një copë letër.

Por në kushtet kur llogaritë e njohura të kompanisë po monitorohen dhe çdo transaksion ngre alarm, a mund t’i përdorë Ozer paratë në arrati?

“Nuk është shume e lehtë të shpenzosh kriptovalutën në Shqipëri, sepse për të tërhequr kesh do të duhet të transferosh fondet që ke në llogaritë personale në një Exchange, dhe kjo e fundit duhet të transferojë fondet në llogarinë tënde, kështu që një person në kërkim nuk mund ta bëj. Në Shqipëri ka edhe mundësi për të shitur bitcoin në Exchange fizike, dhe kjo mund të ndihmojë mbase në gjetjen e individit”, vijon eksperti.

Megjithatë, sipas Cekës, raste të tilla nuk duhet të prishin imazhin e valutave digjitale në tërësi. Këshilla që jep për shqiptarët që duan të investojnë në këto asete, është të informohen dhe të zgjedhin me kujdes se ku i shpenzojnë paratë.

“Është shumë e lehtë për një person që nuk ka një llogari kursimi dhe nuk është marrë me tregjet të futet në kripto dhe të humb gjithçka, sepse ka kompani që synojnë këto persona. Duhen blerë nga Exchange të licencuara”, vijon Ceka.

Vitin e kaluar, Shqipëria u bë një ndër vendet e para në Evropë që miraton një kuadër rregullator për kriptovalutat, me qëllimin për të mundësuar këtë formë alternative investimi, që mund të përdoret edhe për të ulur kostot e blerjeve apo të dërgesave nga emigrantët./A2