G7-a thellësisht e shqetësuar për sjelljen e Rusisë

G7-a thellësisht e shqetësuar për sjelljen e Rusisë

Ministrat e G7-s thanë se ishin “thellësisht të shqetësuar” nga sjellja e papërgjegjshme dhe destabilizuese e Rusisë.

Përfaqësues nga Britania e Madhe, SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Bashkimi Europian kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me veprimet e vazhdueshme të Rusisë, duke përfshirë forcat ushtarake që qëndrojnë afër kufijve të Ukrainës dhe në Krime “ilegalisht”.

G7-a shtoi se “shpreh keqardhje për përkeqësimin e marrëdhënieve të Rusisë me vendet perëndimore” dhe theksoi ”rëndësinë e respektimit të Konventës së Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike”.

Kombet kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth krizës politike dhe të të drejtave të njeriut pas zgjedhjeve presidenciale të gushtit 2020 në Bjellorusi dhe i kanë bërë thirrje Kinës “të respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”.

Zonat e tjera që ministrat kanë shprehur shqetësim përfshijnë shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut dhe grushtin e shtetit në Mianmar.

Deklarata erdhi pas një dite të tretë intensive të takimeve përpara samitit të G7-s të muajit tjetër në Cornwall, Angli./atsh