GjND-ja e dënon me 25 vite burgim për krime lufte një ish-komandant afrikan

GjND-ja e dënon me 25 vite burgim për krime lufte një ish-komandant afrikan

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të enjten e dënoi me 25 vite burgim Dominic Ongwen-in, një ish-komandant të rebelëve nga Uganda. Ai u shpall fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në shkurt të këtij viti, ish-komandanti i të ashtuquajturës Ushtria Rezistuese e Zotit, që kishte shkaktuar tmerr në vitet e nëntëdhjeta dhe në fillim të këtij shekulli në Ugandë, u shpall fajtor për 61 pika të aktakuzës, përfshirë vrasjet, dhunimet dhe torturat e kryera nga grupi i tij militant.

Nga katër ish-udhëheqësit e këtij grupi – Joseph Kony, Vincent Otti, Okot Odhiambo dhe Ongwen – të akuzuar nga GjND-ja para më shumë se një dekade, vetëm Kony dhe Ongwen janë ende gjallë, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.

Kony ende ndodhet në arrati, pavarësisht ofrimit të pesë milionë dollarëve dëmshpërblim për informacione që çojnë në kapjen e tij. Megjithatë, raportimet e pakonfirmuara thonë se Kony mund të ketë vdekur në Republikën e Afrikës Qendrore.

Grupi i rebelëve i kishte terrorizuar komunitetet në veri të Ugandës, në Sudanin Jugor, Republikën Demokratike të Kongos dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Ky grup është përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve, dhunimin e grave, rrëmbimin e fëmijëve dhe zhvendosjen e mijëra njerëzve.