A janë vaksinat ndaj Covid-19 të sigurta për shtatzënat?

A janë vaksinat ndaj Covid-19 të sigurta për shtatzënat?

Gratë shtatzëna i përkasin grupit të personave më të rrezikuar për t’u përballur me COVID-19 të rëndë. Por, vaksinimet në mesin e shtatzënave janë duke u zhvilluar më ngadalë në Gjermani se sa në vendet e tjera të botës

Vetëm sikur këshillat mjekësore të ishin më të qarta, Anja W, një grua 35-vjeçare në javën e 25-të të shtatzënësisë, do të mund të vaksinohej kundër COVID-19.

Ajo është mjeke dhe i di mirë të gjitha problematikat që e ngërthejnë gjendjen e saj.

“Sikur Shoqata gjermane e Gjinekologëve dhe Obstetërve, si dhe Komiteti për Vaksinim do të dilnin me një rekomandim të qartë vaksinimi për gratë shtatzëna dhe sikur një vaksinë kundër COVID-19 do të kategorizohej si me rrezik më të ulët se sa vetë infektimi me virusin, atëherë do të vaksinohesha. I kam ndjekur këshillat e adresuara në vendet e tjera. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gratë shtatzëna janë vaksinuar tash e sa muaj”, ka thënë Anja W, duke folur për agjencinë gjermane “Deutsche Welle”.

Përveç SHBA-së, edhe vendet e tjera në botë, sikurse Mbretëria e Bashkuar, Izraeli dhe Belgjika, kanë rekomanduar që shtatzënat t’i marrin vaksinat. Në fakt, ato madje janë cilësuar si raste prioritare. Por, Komiteti gjerman i Vaksinimit (STIKO) ende pritet që ta lëshojë një rekomandim të tillë në vend, duke përthekuar në të periudhat qoftë gjatë shtatzënësisë apo edhe gjatë gjidhënies.

Vonesë shkaku i mungesës së të dhënave

Në prillin e 2021-s, STIKO kishte rekomanduar kundër vaksinimit të shtatzënave. Në rekomandim thuhej se një gjë e tillë ndodh shkaku se personat që e kanë një telashe të caktuar shëndetësore dhe që rezultojnë të jenë më të rrezikuar për t’u prekur nga forma më e rëndë e sëmundjes COVID-19, duhet të merren parasysh për vaksinim, por vetëm pas një analize të bazuar në përfitime dhe rreziqe, si dhe pasi që marrësi potencial të jetë mirë i informuar.

Kjo faktikisht nënkupton vaksinim vetëm për rastet individuale dhe të jashtëzakonshme, si dhe në rrezikun e vetë marrësit. STIKO ka bërë të ditur se të dhënat e pamjaftueshme e kanë pamundësuar dhënien e një rekomandimi në favor të vaksinimit të grave shtatzëna, pasi që ato vetëm rrallëherë marrin pjesë në testimet klinike për ilaçe të caktuara.

Andaj, Komiteti nuk ka dalë me një qëndrim kundër vaksinimit të nënave të ardhshme, por vetëm ka pretenduar se nuk mund ta rekomandojë kurën në mesin e shtatzënave. Është pra fjala për një rast as për dhe as kundër. Mirëpo, pikërisht këtë qëndrim e kanë cilësuar si konfuz nënat e ardhshme.

Gjinekologët në favor të vaksinimit të shpejtë

Profesionistë të përkujdesjes intensive dhe gjinekologët i janë nënshtruar presionit. Një grup prej 11 organizatave të fushës në Gjermani kanë publikuar një “qëndrim dokument”, duke argumentuar se gratë shtatzëna përballen me rrezik të lartë për t’u prekur nga versioni i rëndë i COVID-19 dhe kanë insistuar se tani ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme e të qëndrueshme lidhur me sigurinë e vaksinave me bazë mARN-në.

Stefan Kluge, shef i spitalit universitar në Hamburg-Eppendorf (UKE), është i të njëjtit qëndrim. Ai ka thënë se është evidentuar rritje e numrit të rasteve me COVID-19 mes grave shtatzëna nëpër spitale. Duke folur për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, ai ka thënë se pesë raste të këtilla janë evidentuar vetëm gjatë dy javëve të fundit.

“Këto raste janë veçanërisht dramatike. Duhet ta nisim vaksinimin e grave shtatzëna në Gjermani”, ka theksuar ai.

Më shumë shqetësime

Anja W. ka theksuar se nëse gratë shtatzëna tani po konsiderohen si pacientë të rrezikuar, mbrojtja e tyre do të duhej të ishte prioriteti numër një. Si një mjeke dhe njëherësh shtatzënë, ajo ndihet veçanërisht e brishtë.

“Këtë shtatzëni po e kaloj përherë e më e shqetësuar se sa shtatzëninë e parë”, ka thënë ajo. “Ende punoj në spital dhe po mundohem, me aq sa mundem, që të mbrohem kundër infeksionit me SARS-Cov-2”.

Organizatat e gjinekologjisë në Gjermani, të cilat kërkojnë shtimin e vaksinimit mes shtatzënave dhe nënave gjidhënëse, i theksojnë konstatimet e Qendrave amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse (CDC) që kanë treguar se nuk ka indikacione se vaksinat kundër COVID-19 mund të shkaktojnë komplikime mes shtatzënave. CDC-ja ka bërë, gjithashtu, të ditur se nuk ekzistojnë shqetësime as lidhur me krijimin e antitrupave apo tolerancës ndaj vaksinave.

Vaksinat mARN, të parapëlqyerat

Megjithëkëtë, te gratë shtatzëna është rekomanduar përdorimi i vaksinave me bazë mARN-në. Kësisoj, në listë janë vaksinat “Pfizer”-“BioNTech” dhe “Moderna”.

Mjekja shtatzënë, Anja W., do ta parapëlqente një vaksinë mARN.

“Gratë shtatzëna kanë rrezik më të lartë nga tromboza dhe do të doja që ta shmangia këtë rrezik, andaj e preferoj vaksinën mARN”, ka thënë ajo.

Por, shumë njerëz – shtatzënat e gatshme për vaksinim – ende nuk janë vaksinuar, shkaku se mjekët po tregohen ngurrues sherri i rreziqeve. Kjo gjë i ka lënë ato në pozitën që të hamendësojnë nëse rreziku më i lartë është nga infektimi apo vaksinimi.

Anja W. shpreson se së shpejti do të ketë këshilla më të prera në Gjermani për shtatzënat.

“Deri atëherë, fëmija im i dytë veçse do të vijë në këtë jetë”, ka theksuar ajo