Anglia lehtëson kufizimet për udhëtimet jashtë shtetit

Anglia lehtëson kufizimet për udhëtimet jashtë shtetit

Qeveria britanike ka njoftuar lehtësimin e kufizimeve për udhëtimet jashtë shtetit, nga 17 maji, duke përjashtuar nga karantina personat që mbërrijnë në Angli nga 12 vende, përfshirë Izraelin dhe Portugalinë, por jo nga destinacionet e njohura, si Franca.

Gjatë një konference shtypi, ministri i Transportit, Grant Shapps njoftoi heqjen e ndalimit të udhëtimit për jashtë shtetit, të rezervuara që nga janari për udhëtimet thelbësore dhe krijimin e një sistemi kufizimesh që klasifikojnë vendet në tri kategori, sipas situatës së tyre shëndetësore.

Ministri shpjegoi se heqja e kufizimeve ishte “domosdoshmërisht e matur”, sepse qeveria “duhet të sigurojë absolutisht që vendet me të cilat ne rilidhemi të jenë të sigurta, nivelet e tyre të infektimit të ulëta dhe nivelet e vaksinimit të larta”, raporton ATSh.

Në listën e gjelbër janë 12 vende, përfshirë Portugalinë, Izraelin, Gjibraltarin, Australinë, Zelandën e Re dhe Singaporin.

Për këto vende, testet COVID-19 do të jenë ende të detyrueshme para dhe pas mbërritjes.

Shumica e vendeve, përfshirë destinacionet e njohura për britanikët, si Franca, Italia, Spanja dhe Greqia, mbeten të klasifikuara “portokalli”, që do të thotë se udhëtarët do të duhet të ndjekin një karantinë prej të paktën pesë ditësh, kudo që duan të shkojnë, si edhe t’i nënshtrohen kontrolleve të shumta.

Për vendet në listën e kuqe, vetëm banorët britanikë mund të kthehen në Angli, por duhet t’i nënshtrohen një karantine në hotel prej 11 netësh me shpenzimet e tyre.

Vendeve dhe territoreve tashmë në këtë listë (në veçanti Amerika e Jugut) tani u shtohen Turqia, Maldivet dhe Nepali.