SHBA-ja bën thirrje për qetësi pas përleshjeve në Jerusalem

SHBA-ja bën thirrje për qetësi pas përleshjeve në Jerusalem

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin lidhur me përleshjet në mes të palestinezëve dhe policisë izraelite në Jerusalem, duke thënë se është “kritike” që të ulen tensionet.

Kjo thirrje nga SHBA-ja erdhi më 7 maj, teksa nga përplasjet në xhaminë Al-Aqsa të Jerusalemit, u lënduan mbi 160 palestinezë dhe gjashtë policë izraelitë.

Javëve të fundit janë rritur tensionet, teksa palestinezët po protestojnë kundër qasjes së Izraelit në disa pjesë të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit, ndërkaq autoritetet izraelite kanë ndërmarrë hapa për të larguar palestinezët nga territoret e kontestuara, me qëllim që të krijojnë hapësirë për ndërtimin e vendbanimeve izraelite.

SHBA-ja tha se dhuna “ishte veçanërisht shqetësuese tani, kur edhe kanë mbetur edhe disa ditë për përfundimin e Ramazanit” dhe paralajmëroi kundër hapave që do ta përkeqësonin situatën, siç janë “dëbimet, ngritja e vendbanimeve dhe shkatërrimi”.

Më herët më 7 maj, dy palestinezë dhe një person tjetër ishin plagosur nga forcat e sigurisë së Izraelit , pasi këta tre persona hapën zjarr në një bazë në Bregun Perëndimor.

Dhuna erdhi në Ditën Al-Quds, që është një ditë pro-palestinezëve që shënohet në Iran. Ministria e Jashtme iraniane, më 8 maj, e dënoi dhunën policore në xhaminë Al-Aqsa. Policia përdori plumba gome dhe granata tymuese ndaj palestinezëve që hodhën gurë në drejtim të policisë. Irani i cilësoi veprimet e autoriteteve izraelite si “krim lufte”. /REL