Trump ka spiunuar 3 gazetarë të Washington Post që hetonin ndërhyrjen ruse
Administrata Trump ka marrë në mënyrë sekrete regjistrimet telefonike të reporterëve të Washington Post që shkruanin për akuzat rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës.
Lajmi është publikuar nga vetë e përditshmja amerikane, Washington Post. Departamenti amerikan i drejtësisë i ka drejtuar një letër gazetarëve Elen Nakashima dhe Greg Miller si dhe ish reporterit Adam Entous. Duke thënë se kishin marrë të gjitha tabulatet e tyre telefonike personale dhe profesionale për periudhën 15 prill 2017 – 31 korrik 2017.
Uashington Post ishte thellësisht i shqetësuar nga përdorimi i pushtetit nga ana e qeverisë për të pasur qasje në bisedat e gazetarëve. Drejtori i të përditshmes Kameron Bar, u shpreh se departamenti amerikan i drejtësisë duhet të hetojë pasi është dhunuar e drejta e gazetarëve që mbrohet nga amendamenti i parë i kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Unioni për lirinë civile amerikane u shpreh se departamenti i drejtësisë ka spiunuar gazetarët për të përmbushur kapriçot e qeverisë dhe një gjë e tillë nuk duhej të kishte ndodhur asnjëherë. Në momentin që qeveria spiunon gazetarët dhe burimet e tyre, komprometon lirinë e medias.
Nga ana e tij departamenti amerikan i drejtësisë, deklaroi se ka ndjekur procedura të vendosura që më parë. Letrat e dërguara gazetarëve nuk kanë specifikuar arsyen, për të cilat janë sekuestruar tabulatet. Por në fund të asaj periudhe, tre gazetarët shkruan një histori për shërbimin amerikan të inteligjencës i cili sugjeronte që Jeff Sessions – që u bë prokuror i përgjithshëm gjatë presidencës së Trump – kishte diskutuar rreth fushatës së Trump me ambasadorin rus. Moska akuzohet se mbështeti kandidaturën e Donald Trump në vitin 2016, duke e ndihmuar në fitore.























