Dhjetëra të vrarë në dhunën midis Izraelit dhe Hamasit
Izraeli dhe militantët palestinezë në Gaza shkëmbyen zjarr, duke përshkallëzuar edhe më shumë dhunën mes tyre.
Autoritetet shëndetësore në Gaza - rajon që kontrollohet nga grupi militant i Hamasit - thanë se 26 palestinezë, përfshirë nëntë fëmijë, u vranë që nga mbrëmja e 10 majit.
Sipas tyre, mbi 120 njerëz u plagosën - shumica nga sulmet ajrore izraelite.
Ushtria e Izraelit tha se së paku 16 të vrarë ishin militantë.
Militantët e Gazës, ndërkohë, hodhën qindra raketa drejt Izraelit, duke vrarë dy civilë izraelitë dhe duke plagosur së paku 10 të tjerë.
Hamasi tha se po vepron për të mbrojtur xhaminë Al-Aqsa të Jerusalemit nga “agresioni” i Izraelit.
Ditëve të fundit, lokacioni ku ndodhet kjo xhami, që është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë, ka parë përleshje të rënda midis policisë izraelite dhe palestinezëve, të cilat kanë lënë qindra njerëz të plagosur.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Hamasi “ka kaluar vijën e kuqe” duke hedhur raketa në drejtim të Jerusalemit dhe se vendi i tij do të përgjigjet “me forcë të madhe”.
Ushtria izraelite tha se do të dërgojë përforcime në kufi me Gazën, ndërsa ministri i Mbrojtjes urdhëroi mobilizimin e 5,000 ushtarëve rezervë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kërkuan dy palëve që t’i ulin tensionet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim urgjent të hënën, për të diskutuar situatën, por nuk lëshoi ndonjë deklaratë.
Organizata 57-anëtarëshe e Bashkëpunimit Islamik mbajti një takim urgjent të martën në Dubai, duke dënuar Izraelin për shpërthimin e dhunës./VoA























