Konventa evropiane kundër dhunës ndaj grave "shpëton jetë"

Konventa evropiane kundër dhunës ndaj grave "shpëton jetë"

Pas një dekade, Konventa e Stambollit është bërë më e rëndësishme se kurrë si një mjet për të mbrojtur jetën e grave në Evropë, thotë Dunja Mijatovic, Komisionere e Lartë e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut.

Më 11 maj, Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje mbush 10 vjet. Ky përvjetor vjen në një kohë të trazuar për gratë në Evropë.

Vitet e fundit, lëvizjet ultra-konservatore janë përpjekur vazhdimisht të minojnë të drejtat e grave në të gjithë Evropën. Pandemia COVID-19 e ka ndërlikuar situatën: përparimet në barazinë gjinore në punësim po kthehen pas, dhuna ndaj grave është rritur në qiell dhe pengesat në qasjen ndaj të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues janë shumëfishuar.

Për ta sprapsur këtë situatë, Konventa e Stambollit përfaqëson një mjet unikal në dispozicion të vendeve evropiane. Duke e konfirmuar se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut, ajo pengon çdo karakterizim të saj si çështje private ose familjare. Si përsa i përket dhunës në familje, gjymtimit të organeve gjenitale të grave, martesës së detyruar, ngacmimeve seksuale, dhunës psikologjike, ndjekjes, sterilizimit të detyruar ose abortit të detyruar, Konventa e Stambollit vendos detyrime pozitive ndaj shteteve për të kundërshtuar të gjitha manifestimet e dhunës ndaj grave në një mënyrë gjithëpërfshirëse.

Parandalimi i dhunës është hapi i parë

Konventa parashikon një qasje të përqendruar tek viktima, është krijuar për t'i bërë gratë më të sigurta, duke parandaluar dhunën, duke mbrojtur viktimat dhe duke i bërë përgjegjës shkelësit. E rëndësishme është që në të gjithashtu theksohet se parandalimi efektiv i dhunës ndaj grave kërkon që shtetet të përmirësojnë barazinë gjinore, duke trajtuar pabarazitë dhe stereotipat e rrënjosura thellë në lidhje me rolet e grave dhe burrave në shoqëri.

Zbatimi i Konventës së Stambollit tashmë ka dhënë rezultate pozitive. Ajo ka çuar në një numër në rritje të qendrave të strehimit për viktimat e dhunës në Shqipëri, Finlandë, Mal të Zi, Portugali dhe Turqi. Shërbime të specializuara mbështetëse për viktimat e dhunës seksuale janë ngritur gjithashtu në Austri, Danimarkë, Finlandë, Portugali dhe kohët e fundit në Spanjë.

Disa vende - përfshirë Austrinë, Danimarkën, Gjermaninë, Irlandën, Maltën, Portugalinë dhe Suedinë - kanë ndryshuar legjislacionin e tyre mbi dhunën seksuale dhe përdhunimin për ta sjellë atë më pranë standardit të Konventës së Stambollit, duke vendosur që mungesa e pëlqimit të viktimës duhet të jetë elementi përbërës i veprave të tilla, në vend të përdorimit të forcës ose kërcënimeve nga dorasi. Forma shtesë të dhunës ndaj grave, të tilla si ndjekja, janë kriminalizuar në Shqipëri, Mal të Zi dhe në Portugali.

Zbatimi i Konventës gjithashtu ka çuar në trajnim më të mirë të zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit mbi dhunën me bazë gjinore, dhe në ndjekje penale më efektive të dhunës ndaj grave.

Ligjet kombëtare jo të forta sa duhet

Në një kohë që pandemia ka vepruar si një lentë zmadhuese për boshllëqet që ekzistonin më parë në politikat e adresimit të dhunës ndaj grave, ajo gjithashtu ka theksuar rolin vendimtar të luajtur nga disa prej masave të marra deri tani për të zbatuar Konventën e Stambollit. Disa shtete, të cilat e kishin bërë eliminimin e dhunës ndaj grave një qëllim të rëndësishëm të politikës, ishin në gjendje në kontekstin e masave kufizuese për t'u dhënë përparësi veprimeve që ofronin siguri dhe mbështetje për viktimat e dhunës, për shembull përmes mekanizmave të rinj të alarmit.

Pavarësisht përfitimeve të demonstruara të Konventës së Stambollit për të drejtat e grave, keqinterpretimet vazhdojnë të shpërndahen nga ata që kundërshtojnë ratifikimin e Konventës. Nën pretekstin e mbrojtjes së vlerave dhe traditave familjare, ata shpesh fshehin një agjendë misogjiniste (kundër grave) dhe homofobe. Për ata kundërshtarë, ia vlen të përsëritet: nuk është një marrëveshje që lufton dhunën në familje që shkatërron familjet, por vetë dhuna në familje.

Të tjerë argumentojnë se ratifikimi i një instrumenti ndërkombëtar nuk është i nevojshëm sepse vendet tashmë kanë ligje kombëtare të cilat ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme kundër dhunës në familje. Ky argument u përdor gjithashtu kur Turqia u tërhoq nga Konventa në një lëvizje për të ardhur keq prillin e kaluar.

Ky argument i rremë fsheh faktin se ligjet ekzistuese kombëtare janë shumë më pak përfshirëse sesa Konventa e Stambollit, si kur bëhet fjalë për format e dhunës ndaj grave që mbulojnë ligje të tilla, ashtu edhe masat që u kërkohet të marrin për ta zbatuar atë shteteve palë në Konventë . Për më tepër, Konventa e Stambollit parashikon një grup të pavarur ekspertësh ndërkombëtarë që vlerësojnë zbatimin e saj nga secila palë dhe një detyrim bashkëpunimi midis të gjitha shteteve palë.

Zbatimi i Konventës së Stambollit shpëton jetë. Shtetet kanë një detyrë morale dhe ligjore të mos dështojnë për gratë dhe vajzat. Ato duhet të ratifikojnë dhe zbatojnë më tej Konventën e Stambollit. Nuk ka argumente bindëse për të mos vepruar kështu.