Izraeli refuzon thirrjen e Biden për armëpushim

Izraeli refuzon thirrjen e Biden për armëpushim

Benjamin Netanyahu ka refuzuar mbrëmë thirrjen e presidentit amerikan, Joe Biden, për armëpushim, teksa Izraeli vazhdoi bombardimet mbi qytetin e populluar të Gazës, duke thënë se ka vrarë 150 terroristë.

Mbrëmë presidenti i SHBA në një telefonatë inkurajoi Izraelin të bëjë çdo përpjekje për të mbrojtur jetën e civilëve, por Netanyahu u zotua të vazhdojë sulmet ndaj “objektivave terroriste”.

Numri i viktimave palestineze ka arritur në 212 – duke përfshirë 61 fëmijë. Ushtria e Izraelit thotë se ka vrarë 120 militantë të Hamas dhe 25 anëtarë të grupit palestinez Xhihadi Islamik.

Dhjetë viktima janë raportuar deri tani në Izrael nga lëshimet raketore prej Rripit të Gazës, teksa ky i fundit vuan kundërpërgjigjen kolosale me sulme ajrore mbi zona të populluara dendur, që prej më shumë se një jave.

Ushtria izraelite publikoi gjithashtu pamje të sulmeve mbi ato që quante nëndetëse vetëvrasëse të Hamas që kërkojnë të godasin impjantet izraelite të naftës në Mesdhe.

Lëshimet raketore janë shtuar ditët e fundit edhe nga kufiri i Libanit ku militantët e Hezbollah mbështesin përpjekjet e Hamas në rezistencën ndaj Izraelit.
Gjashtë raketa u lëshuan mbrëmë nga Libani drejt Izraelit por ranë pak para gardhit kufitar. Izraeli u kundërpërgjigj me goditje të shumta artilerie.

Sulmet izraelite kundër Hamas në Gaza, shembën sot një ndërtesë gjashtë katëshe me librari dhe qendra arsimore të Universitetit Islamik, duke lënë prapa rrënoja gjigande blloqesh betoni. Mes tyre shiheshin libra, banka studimi pajisje kompjuterike.

Izraeli kishe paralajmëruar për sulmin dhe rezidentët shiheshin duke u larguar para agimit.

“E gjitha lagjia nisi të vraponte, e më pas shkatërrimi, termeti,” tha Jamal Herzallah, rezident i zonës./tch