Më se 52,000 palestinezë janë zhvendosur nga sulmet ajrore izraelite
BKT
   Bota

Më se 52,000 palestinezë janë zhvendosur nga sulmet ajrore izraelite

Më shumë se 52,000 palestinezë janë zhvendosur nga sulmet ajrore izraelite që kanë shkatërruar ose dëmtuar gati 450 ndërtesa në Rripin e Gazës, tha të martën agjencia e ndihmës e Kombeve të Bashkuara.

Në një deklaratë të veçantë mbi konfliktin, grupi i të drejtave “Amnesty International” tha se sulmet ajrore të Izraelit në ndërtesat e banimit mund të përbëjnë krime lufte, transmeton euronews.albania.

Izraeli thotë se godet vetëm caqet e ligjshme ushtarake dhe se bën gjithçka që mundet për të shmangur viktimat civile.

Rreth 47,000 nga njerëzit e zhvendosur kanë kërkuar strehim në 58 shkolla të drejtuara nga OKB në Gaza, u tha gazetarëve Jens Laerke, një zëdhënës i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në Gjenevë.

Laerke shtoi se 132 ndërtesa ishin shkatërruar dhe 316 ishin dëmtuar rëndë, duke përfshirë gjashtë spitale dhe nëntë qendra të kujdesit shëndetësor parësor, si dhe një impiant për shkripëzimin, duke ndikuar në aksesin në ujë të pijshëm për rreth 250,000 njerëz.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara mirëpriti faktin se Izraeli kishte hapur një vendkalim kufitar për furnizime humanitare por bëri thirrje që një tjetër vendkalim të hapet gjithashtu.

“Amnesty International” me qendër në Londër bëri thirrje për një hetim mbi sulmet ajrore në ndërtesat e banimit në Gaza.

Amnistia, e cila u kërkoi të dy palëve javën e kaluar të mos shkelnin ligjin humanitar, tha se kishte dokumentuar katër sulme vdekjeprurëse nga Izraeli të nisura në shtëpitë e banimit pa paralajmërim paraprak dhe i bëri thirrje Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të hetuar.