Hakerët zbulojnë të dhënat personale të 279 milionë indonezianëve
BKT
   Bota

Hakerët zbulojnë të dhënat personale të 279 milionë indonezianëve

Ministria e Komunikimit dhe Informacionit në një deklaratë tha se po heton dyshimet për rrjedhje të të dhënave dhe shitjen e tyre në platformën e hakerëve "Raid Forums".

Të dhënat personale e të paktën 279 milionë indonezianëve thuhet se janë zbuluar dhe janë shitur në një platformë hakerësh këtë muaj, njoftuan autoritetet të enjten vonë.

Ministria e Komunikimit dhe Informacionit në një deklaratë tha se po heton dyshimet për rrjedhje të të dhënave dhe shitjen e tyre në platformën e hakerëve "Raid Forums".

Informacioni në lidhje me rrjedhjen e pretenduar të të dhënave të popullsisë u shfaq fillimisht në mediat sociale, duke pretenduar se ishin nga Agjencia e Kujdesit Shëndetësor dhe Sigurimit Social.

Zëdhënësi i ministrisë, Dedy Permadi tha se është një rrjedhje e madhe e të dhënave dhe hetimet do të marrin kohë. Për të përfunduar hetimet, ministria do të shqyrtojë disa faza të rrjedhjes së dyshuar, tha ai.

Do të ketë një hetim më të thellë të çështjes për të gjetur gjurmët e rrjedhjes, tha ai duke shtuar se "gjetjet e hetimit do të publikohen më vonë".

Iqbal Anas Ma'ruf, zëdhënësi i Sigurimit Social tha se agjencia po heton për të përcaktuar nëse të dhënat e rrjedhura kanë origjinën nga sistemi i saj.

"Ne kemi formuar një ekip të veçantë për të gjetur menjëherë burimin e rrjedhjes", tha Ma'ruf në një deklaratë.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme tha se pretendimet për rrjedhje të të dhënave nuk buronin nga Departamenti i Regjistrimit Civil dhe të Popullsisë.

Ka pasur shumë incidente të rrjedhjeve të të dhënave personale në vend.

Në vitin 2020 janë zbuluar të dhënat e informacioneve personale nga përdoruesit e dy vendeve kryesore të tregtisë elektronike, Tokopedia dhe Bukalapak.

Përveç kësaj, të paktën 2.3 milionë të dhëna të votuesve nga Komisioni i Përgjithshëm i Zgjedhjeve (KPU) gjithashtu kanë dalë dhe janë shitur në forumet online.