Rënia e teleferikut në Itali nën hetim, ngrihen akuza penale
Akuzat penale po konsiderohen si pjesë e hetimit për rënien e teleferikut që vrau 14 njerëz të dielën, në Italinë veriore.
Gjatë një bisede ditën e hënë me gazetarët, prokurorja kryesor Olimpia Bossi tha se hetimi mbi ngjarjen tragjike do të përqëndrohet te arsyeja e këputjes së kabllos dhe pse frenat e sistemit të teleferikut nuk funksionuan.
“Kablloja ishte në tokë, e prishur. Frenat e sistemit të sigurisë nuk funksionuan. Përndryshe, kabina do të kishte ndaluar. Pra, këto janë faktet, por arsyeja pse ajo gjë ndodhi është nën hetim,” – tha Bossi, për The Associated Press, transmeton euronews.albania.
Ndër “akuzat hipotetike”, tha prokurorja, janë “vrasja e shumëfishtë” dhe “vrasja në tentativë”.
Bossi më tej tha se akuzat për një “sulm ndaj transportit publik” mund të konsiderohen gjithashtu.
Në orët e para pas incidentit, janë ngritur shqetësime mbi sigurinë e infrastrukturës së transportit të Italisë.
Ministria e Transportit të vendit deklaroi se sistemi i teleferikut ishte rinovuar në gusht të vitit 2016, i ishte bërë një kontroll i plotë i mirëmbajtjes në 2017-tën dhe vitin e kaluar ishin kryer disa inspektime të mëtejshme.
“Vetë kabllot ishin kontrolluar në nëntor dhe dhjetor 2020,” – tha ministria e Transportit në Itali.
Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës, Enrico Giovannini njoftoi se do të kishte një hetim mbi incidentin, së bashku me hetimin nga zyra e prokurorit.























