Shba- ja ndan mbi 360 milionë dollarë ndihmë urgjente për Palestinën
BKT
   Bota

Shba- ja ndan mbi 360 milionë dollarë ndihmë urgjente për Palestinën

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ka thënë se vendi i tij do të ofrojë mbi 360 milionë dollarë si pjesë e përkrahjes urgjente për popullin palestinez.

“ShBA-ja do të ofrojë mbi 360 milionë dollarë përkrahje urgjente për popullin palestinez. Ne do ta nxisim komunitetin ndërkombëtar që të ofrojë më shumë ndihma për përpjekjet humanitare dhe zhvillimore”, shkroi në Twitter kryediplomati amerikan.

Ndryshe, të martën ai zhvilloi takime në Izrael me kryeministrin e këtij vendi, Benjamin Netanyahu, dhe në Bregun Perëndimor me presidentin e Palestinës, Mahmoud Abbas.

Në rrjetet sociale, kryediplomati amerikan tha se gjatë bisedimeve të së martës me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, dhe kryeministrin Mohammad Shtayyeh diskutoi për thellimin e bashkëpunimit të Amerikës me palestinezët.

Ai premtoi se do ta avancojë procesin e rihapjes së konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Jerusalem, e cila shërbente si kanal i saj diplomatik për palestinezët.

Konsullata ishte mbyllur nga paraardhësi i presidentit Biden, Donald Trump, në vitin 2019, duke i zemëruar palestinezët dhe duke i tensionuar raportet me ta.

Ish-presidenti amerikan kompetencat për raportet me palestinezët ia kaloi ambasadorit të tij në Izrael, kur vendosi që ta ndërronte vendndodhjen e ambasadës së ShBA-së nga Tel Avivi në Jerusalem.