Opozita bashkohet për largimin e Netanyahu-n nga pushteti
BKT
   Bota

Opozita bashkohet për largimin e Netanyahu-n nga pushteti

Udhëheqësi ultranacionalist, Naftali Bennett, tha se, do të bashkohej me bisedimet për të formuar një koalicion qeverisës me udhëheqësin e partisë qendrore, Yair Lapid.

Partia kryesore e opozitës izraelite ka mbështetur një qeveri uniteti që do t’i jepte fund qëndrimit të Benjamin Netanyahut si kryeministri më i gjatë në vend.

Lapid, 57 vjeç, ka kohë deri të mërkurën për të njoftuar krijimin e një marrëveshjeje.

“Unë do të bëj gjithçka për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar me mikun tim Yair Lapid,” tha Bennett, i cili udhëheq Yamina, në një fjalim televiziv të dielën.

Koalicioni i propozuar do të bashkonte fraksione nga e djathta, e majta dhe qendra e politikës izraelite. Ndërsa palët kanë pak gjëra të përbashkëta politikisht. Ata janë të bashkuar për të larguar Netanyahu nga pushteti

Kryeministri, i cili po gjykohet për mashtrim, nuk arriti një shumicë vendimtare në zgjedhjet e përgjithshme në mars. Ishte vota e katërt në dy vjet, ku sërish Netanyahu nuk arriti të sigurojë aleatët e koalicionit.

Partia e Benjamin Netanyahu-t, Likud, fitoi shumicën me ndryshim të madh nga vendi i dytë, por koalicioni i kryeministrit në detyrë nuk kapi më shumë se 60 mandate.

Në Parlamentin me 120 deputetë, 61 karrige janë të nevojshme për të fituar shumicën.

Opozitarët e Yesh Atid nga ana tjetër, kanë arritur të sigurojnë 17 ulëse. Kjo është e pamjaftueshme për t’i vënë në pozita për krijimin e një qeverie. Gjithsesi, ata i quajtën një fitore zgjedhjet.

Në tërësi janë 13 parti që kanë fituar vende në Parlamentin izraelit. Ky numër i madh e bën edhe më të vështirë formimin e koalicionit qeverisës.