NATO kufizon hyrjen në selinë e saj për diplomatët bjellorusë
BKT
   Bota

NATO kufizon hyrjen në selinë e saj për diplomatët bjellorusë

NATO ka vendosur të kufizojë hyrjen në selinë e saj për diplomatët nga Bjellorusia, një vend anëtar i partneritetit Euro-Atlantik, si sanksion ndaj vendimit të Minskut për të rrëmbyer një avion europian në mënyrë që të arrestojë një kundërshtar, njoftoi sot Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

“Ne kemi vendosur të kufizojmë mundësinë e personelit bjellorus në selinë e NATO-s në Bruksel”, tha Stoltenberg gjatë një konference shtypi.

“Aleatët dënuan me forcë një shkelje të rregullave ndërkombëtare dhe një sulm ndaj lirisë së shprehjes nga autoritetet bjelloruse”, kujtoi ai.

“Ne i mirëpresim sanksionet e marra nga aleatët e NATO-s, përfshirë kufizimet e hyrjes të vendosura ndaj kompanive bjelloruse dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve”, shtoi kreu i NATO-s.

Bjellorusia detyroi një avion të kompanisë ajrore “Ryanair” nga Athina për në Vilnius, më 23 maj, që të devijonte për të zbarkuar në Minsk, duke pretenduar një kërcënim për bombë.

Dy pasagjerë, gazetari disident bjellorus Roman Protassevich dhe shoqja e tij ruse, Sofia Sapega, u arrestuan./atsh