Vendet anëtare miratojnë rezolutën për forcimin e OBSH-së
Anëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ranë dakord sot për të forcuar agjencinë e Kombeve të Bashkuara, megjithatë skicat e reformës ende nuk janë përcaktuar.
Më shumë se një vit pas fillimit të pandemisë që mori më shumë se 3,5 milionë jetë në të gjithë botën, vendet anëtare të OBSH-së miratuan një rezolutë për forcimin e organizatës, pas një jave debatesh.
Rezoluta u miratua në komision para miratimit të saj në seancë plenare në ditën e fundit të Asamblesë së 74-të Botërore të Shëndetit, e përshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus si “një nga më të rëndësishmit në historinë e OBSH-së”.
Rezoluta, e titulluar “Forcimi i gatishmërisë dhe reagimit të OBSH-së ndaj emergjencave shëndetësore”, u propozua nga SHBA dhe BE në veçanti.
Teksti thekson se përgatitja dhe reagimi ndaj krizave shëndetësore “janë kryesisht përgjegjësi e qeverive, të cilat luajnë një rol vendimtar në këtë drejtim”.
Gjithashtu, ai vë në dukje “rolin kryesor të udhëheqjes” të luajtur nga OBSH brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara, përballë krizave shëndetësore dhe vëren se pritshmëritët e bashkësisë ndërkombëtare “përgjithësisht tejkalojnë kapacitetet aktuale” të organizatës.
Në këtë rast, rezoluta nis një grup pune për forcimin e gatishmërisë dhe përgjigjes së OBSH-së ndaj emergjencave shëndetësore./atsh























