SHBA heq rregulloren për dëbimin e emigrantëve të parregullt në Meksikë
Pavarësisht se rregullorja siguroi një ulje në masë të madhe në numrin e emigrantëve të parregullt që bënin aplikime për strehim në vend, ky program ka qenë objektiv i kritikave serioze.
Në SHBA është hequr zyrtarisht rregullorja e cila u vendos në zbatim në periudhën e ish-presidentit Donald Trump dhe e cila shkaktoi dëbimin e emigrantëve të parregullt në Meksikë.
Sipas një njoftimi me shkrim të publikuar nga Alejandro Mayorkas, sekretari i sigurisë së brendshme të SHBA-së, thuhet se i është dhënë fund programit "Protokollet e mbrojtjes së emigrantëve" i cili zbatohej që nga viti 2019 dhe i cili shkaktonte dëbimin e emigrantëve të parregullt në Meksikë që kërkonin mbrojtje humanitare.
Mayorkas deklaroi se lënia e rregullores ashtu siç është ose kryerja e ndryshimeve mbi të nuk do të ishte në përputhje me vizionin dhe vlerat e administratës së Joe Bidenit.
Në njoftim është tërhequr vëmendja edhe mbi numrin e madh të emigrantëve të parregullt të deportuar në Meksikë pas refuzimit të aplikimit për strehim si dhe problemet për strehim, ushqim dhe siguri me të cilat përballen emigrantët e parregullt.
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, John Kato e ka cilësuar vendimin si një ‘gabim serioz‘. Ai tha se administrata e Bidenit "ka liruar politikat e ndjeshme kufitare duke hedhur në plan të dytë sigurinë e vendit".
Biden ka premtuar shfuqizimin e rregullores "Qëndro në Meksikë"
Shumë emigrantë që nisen nga vendet e Amerikës Qendrore përpiqen të mbërrijnë në SHBA përmes Guatemalës dhe Meksikës.
Ish-presidenti Trump në vitin 2017 pas ardhjes në detyrë vendosi që emigrantët e ardhur nga Amerika Qendrore dhe ajo Jugore të mbaheshin në kufirin meksikan.
Në kuadër të marrëveshjes së Protokollit për Mbrojtjen e Emigrantëve që njihet si "Programi Qëndro në Meksikë" i dakorduar më 29 janar 2019 mes SHBA-së dhe Meksikës, parashikohej që shtetasit e vendeve të treta që aplikojnë për migracion në SHBA përmes vendit të banojnë në qytetin Tijuana deri në përfundimin e proceseve të aplikimit.
Presidenti amerikan Biden në periudhën e fushatës kur kandidonte për president kishte premtuar se do të shfuqizonte rregulloren e emërtuar "Qëndro në Meksikë". Por, Biden pas zgjedhjes së tij udhëzoi rishikimin e rregullores dhe vendosi që kjo praktikë të vazhdohej me premtimin e hartimit "të një sistemi të strehimit human".
Pavarësisht se rregullorja siguroi një ulje në masë të madhe në numrin e emigrantëve të parregullt që bënin aplikime për strehim në vend, ky program ka qenë objektiv i kritikave serioze.
Emigrantët e parregullt që dëbohen nga SHBA-ja, mblidheshin në zonat e rrezikshme në të cilat operojnë kartelet e drogës në kufirin e Meksikës me SHBA-në.























