Venezuelë, mbërrin komisioni norvegjez për bisedime
Maduro kërkon heqjen e sanksioneve të SHBA-së, njohjen ndërkombëtare të asamblesë kombëtare të zgjedhur në dhjetor dhe kthimin e aseteve dhe llogarive bankare të qeverisë venezueliane jashtë shtetit.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro njoftoi të martën se një mision nga qeveria norvegjeze mbërriti në Venezuelë për të promovuar dialogun mes qeverisë dhe opozitës.
Të dy palët kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për dialog nën moderimin e komisionit norvegjez. Ata po ashtu kanë thënë se dialogu do të konsistojë kryesisht në negocimin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në këmbim të heqjes së sanksioneve të SHBA-së ndaj Venezuelës.
Në mënyrë të veçantë, Maduro kërkon heqjen e sanksioneve të SHBA-së, njohjen ndërkombëtare të asamblesë kombëtare të zgjedhur në dhjetor dhe kthimin e aseteve dhe llogarive bankare të qeverisë venezueliane jashtë shtetit, pasi këto tani janë ngrirë nga Washingtoni.
Lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, Maduro shfaqi gatishmërinë e tij për të "çuar kundërshtarët e revolucionit në terrenin ku përcaktohet gjithçka, vota popullore".
Maduro po ashtu përmendi se ai dëshiron që dialogu të zhvillohet në publik, me "deklarata, fotografi, imazhe dhe transparencë".























