SHBA nuk do të dhurojë vaksina COVID-19 në Venezuelë
BKT
   Bota

SHBA nuk do të dhurojë vaksina COVID-19 në Venezuelë

Komentet e ambasadorit amerikan vijnë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se administrata e tij do të dhurojë 80 milionë doza të vaksinës COVID-19 për kombet në nevojë për të "çuar botën në fundin e pandemisë".

Ambasadori amerikan në Venezuelë, James Story, ka bërë të ditur se SHBA-ja nuk do të dhurojë vaksina të koronavirusit të ri (COVID-19) në Venezuelë për shkak të "mungesës së transparencës" së administratës së presidentit Nicolas Maduro,.

Komentet e ambasadorit amerikan vijnë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se administrata e tij do të dhurojë 80 milionë doza të vaksinës COVID-19 për kombet në nevojë për të "çuar botën në fundin e pandemisë".

"Ne i shpërndajmë këto doza jo për të siguruar favore ose për të marrë koncesione, por për të shpëtuar jetë dhe për ta çuar botën në fundin e pandemisë, me fuqinë e shembullit tonë dhe me vlerat tona", tha Biden në një deklaratë.

Në Amerikën Latine vaksinat do të shpërndahen përmes mekanizmit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një mekanizëm i krijuar për të siguruar vaksina për vendet në zhvillim.

Ambasadori Story theksoi se vendimi i SHBA-së për të përjashtuar Venezuelën nga lista nuk është i përhershëm dhe se vendi mund të përfshihet në donacionet e ardhshme.

"Vetëm në këtë raund të parë Venezuela nuk hyn në listë, sepse i mungon transparenca në shpërndarjen e vaksinave për personat në nevojë", tha Story.

Ministri i Punëve të Jashtme i Venezuelës, Jorge Arreaza, u përgjigj duke theksuar se veprimet e Washingtonit "demonstrojnë urrejtjen e tyre të vazhdueshme ndaj popullit të Venezuelës".

"Kufizimet çnjerëzore të sanksioneve të tyre të paligjshme në mes të një pandemie, si dhe vjedhja e fondeve dhe pasurive të Venezuelës nuk janë të mjaftueshme për ta. Me këto lloj mendimesh, ata demonstrojnë vetëm urrejtjen e tyre të vazhdueshme ndaj popullit të Venezuelës", tha Arreaza.