Zyrtarët e ASEAN vizitojnë Mianmarin për të zhvilluar bisedime
BKT
   Bota

Zyrtarët e ASEAN vizitojnë Mianmarin për të zhvilluar bisedime

Zyrtarët e ASEAN do të zhvillojnë bisedime me gjeneralin Min Aung Hlaing dhe liderin e administratës ushtarake të Mianmarit.

Zyrtarët e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) kanë vizituar Mianmarin për të gjetur zgjidhje për krizën politike dhe konfliktet e brendshme të përjetuara pas grushtit ushtarak në vend.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Vietnamit (VNA) mësohet se presidenti i radhës në ASEAN dhe zv.ministri i Jashtëm i Bruneit, Erywan Yusof dhe Sekretari i Përgjithshëm i ASEAN Lin Jock Hoi, mbrëmë mbërritën në kryeqytetin e Mianmarit, Nepido.

Zyrtarët e ASEAN do të zhvillojnë bisedime me gjeneralin Min Aung Hlaing dhe liderin e administratës ushtarake të Mianmarit, thuhet në lajmin në të cilin nuk jepen më shumë informacione lidhur me detajet e vizitës.

Pas takimit të liderëve të ASEAN që u zhvillua më 24 prill në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta me qëllim për të zgjidhur krizën në Mianmar, zyrtarët kishin pretenduar se në muajin maj mund të zhvillonin një vizitë në Mianmar.

Administrata ushtarake e Mianmarit në një deklaratë më 9 maj informoi se për shkak të arsyeve të sigurisë nuk do të lejonin një vizitë të mundshme.

- Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Deri më tani 842 persona kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së ushtrisë së Mianmarit ndaj kundërshtarëve të grushtit të shtetit. Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë në arrest.