Çfarë qëndron pas ndarjes Kinë-Tajvan?
Pavarësisht se a është një blof ose kërcënim i vërtetë i pushtimit, rritja e aktivitetit ushtarak kinez në Tajvan gjatë muajve të fundit ka shkaktuar shqetësim global.
E vërteta e ndarjes është se Qeveria kineze e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që, përfundimisht, do të jetë përsëri pjesë e saj. Shumë tajvanezë nuk pajtohen me këtë. Ata mendojnë se, në fakt, janë të ndarë, pavarësisht nëse pavarësia shpallet ndonjëherë zyrtarisht ose jo. Cila është historia e këtij tensioni?
Po kthehemi në fillim, kolonët e parë të njohur në Tajvan ishin njerëz fisnorë austroezianë, të cilët mendohet se kanë ardhur nga Kina jugore e sotme.
Ishulli duket se është shfaqur për herë të parë në të dhënat kineze në vitin 239, kur një perandor dërgoi një forcë ekspeditive për të eksploruar zonën, diçka që Pekini e përdor për të mbështetur pretendimin e vet territorial.
Pas një periudhe relativisht të shkurtër si një koloni holandeze (1624-1661), Tajvani u administrua nga dinastia Qing e Kinës nga viti 1683-1895. Nga shekulli 17, një numër i konsiderueshëm i emigrantëve filluan të vinin nga Kina, shpesh duke ikur nga trazirat ose nga vështirësitë me të cilat përballeshin. Shumica ishin kinezë Hoklo nga provinca Fujian (Fukien) ose kinezë Hakka, kryesisht nga Guangdong. Pasardhësit e këtyre dy migrimeve janë aktualisht grupet më të mëdha demografike në ishull.
Në vitin 1895, Japonia fitoi Luftën e Parë, të njohur si sino-japoneze, dhe Qeveria Qing u desh t’ia lë Tajvanin Japonisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Japonia u dorëzua dhe hoqi dorë nga kontrolli i territorit që kishte marrë nga Kina. Republika e Kinës, si një nga fitimtarët në luftë, filloi të qeverisë Tajvanin me pëlqimin e aleatëve të saj, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Por, në vitet e ardhshme shpërtheu një luftë civile në Kinë dhe, trupat e udhëheqësit të atëhershëm, Chiang Kai-shek, u mposhtën përsëri nga ushtritë komuniste të Mao Ce Dunit. Chiang dhe mbetjet e Qeverisë së tij, Kuomintang (e njohur si KMT), ikën në Tajvan në vitin 1949. Ky grup, i njohur si grupi kinez kontinental e që më pas përbëhej prej 1.5 milionë njerëzve, mbizotëroi politikën e Tajvanit për shumë vjet, edhe pse përbënte vetëm 14% të popullatës.
Pasi kishte trashëguar një diktaturë efektive, duke u përballur me rezistencën e njerëzve vendas të zemëruar me sundimin autoritar dhe nën presionin e një lëvizjeje në rritje të demokracisë, djali i Chiang, Chiang Ching-kuo, filloi të lejonte një proces të demokratizimit.
Presidenti Lee Teng-hui, i njohur si “babai i demokracisë” i Tajvanit, udhëhoqi ndryshimet kushtetuese drejt një plani politik më demokratik, i cili përfundimisht çoi në zgjedhjen e presidentit të parë jo-KMT të ishullit, Chen Shui-bian, në vitin 2000.
Çka po ngjet me armiqësinë e fundit? Marrëdhëniet midis Kinës dhe Tajvanit filluan të përmirësoheshin në vitet ‘80. Kina paraqiti një formulë, të njohur si “një vend, dy sisteme”, sipas së cilës Tajvanit do t’i jepej një autonomi e rëndësishme nëse pranonte ribashkimin me Kinën.
Ky sistem u krijua në Hong-Kong për t’u përdorur si një metodë për të joshur tajvanezët përsëri në atë kontinent. Tajvani e refuzoi ofertën, por lehtësoi rregullat për vizitat dhe investimet në Kinë. Në vitin 1991, ai gjithashtu i dha fund luftës me Republikën Popullore të Kinës në kontinent.
Po ashtu, kishte bisedime të kufizuara midis përfaqësuesve jozyrtarë të të dyja palëve, megjithëse këmbëngulja e Pekinit se Qeveria e Republikës së Kinës të Tajvanit (e njohur si ROC) është e paligjshme, nënkuptonte se takimet qeveri me qeveri nuk mund të ndodhnin.
Në vitin 2000, kur Tajvani zgjodhi Chen Shui-bian si president, Pekini u alarmua. Z. Chen e kishte mbështetur hapur “pavarësinë”. Një vit pasi z. Chen u rizgjodh në vitin 2004, Kina miratoi një të ashtuquajtur ligj anti-shkëputje, duke deklaruar të drejtën e Kinës për të përdorur “mjete jo paqësore” kundër Tajvanit nëse përpiqet të “shkëputet” nga Kina.
Z. Chen u pasua nga Ma Ying-jeou, i cili, pasi mori detyrën në vitin 2008, u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet me Kinën përmes marrëveshjeve ekonomike.
Tetë vjet më vonë, më konkretisht në vitin 2016, u zgjodh presidentja aktuale e Tajvanit, Tsai Ing-wen. Ajo drejton Partinë Demokratike Progresive (DPP), e cila anon drejt pavarësisë eventuale zyrtare nga Kina.
Pasi Donald Trump fitoi zgjedhjet e SHBA-së në vitin 2016, zonja Tsai foli me të në telefon, pas një prishjeje me politikën e SHBA-së që viti 1979-atëherë kur marrëdhëniet zyrtare edhe u ndërprenë.
Pavarësisht nga mungesa e lidhjeve zyrtare, SHBA-ja është zotuar të furnizojë Tajvanin me armë mbrojtëse dhe ka theksuar se çdo sulm nga Kina do të shkaktojë “shqetësim të madh”. Gjatë gjithë vitit 2018, Kina rriti presionin ndaj kompanive ndërkombëtare, duke i detyruar ato të rendisin Tajvanin si një pjesë të Kinës në faqet e tyre të internetit dhe duke kërcënuar t’i bllokojë ato për të bërë biznes në Kinë nëse nuk arrijnë ta respektojnë atë.
Zonja Tsai fitoi një mandat të dytë në vitin 2020. Në atë kohë Hong-Kongu ishte përballur përgjatë muajve me trazira-me protestues kundër rritjes së ndikimit të këtij territori-një zhvillim që shumëkush në Tajvan po e shikonte nga afër. Po atë vit, implementimi i një ligji të sigurisë kombëtare nga Kina në Hong-Kong u pa gjerësisht si një shenjë tjetër se Pekini po bëhej më këmbëngulës në rajon.
Në të njëjtën kohë, SHBA-ja ka intensifikuar shtrirjen në Tajvan, duke e siguruar Taipein për mbështetjen e tij të vazhdueshme. Në shtatorin e kaluar, Uashingtoni dërgoi zyrtarin e nivelit më të lartë të Departamentit të Shtetit, pas disa dekadash, për të vizituar ishullin.
Pekini kritikoi ashpër takimin, duke paralajmëruar SHBA-në që “të mos u dërgojë ndonjë sinjal të gabuar elementëve të 'pavarësisë së Tajvanit' për të shmangur dëmtimin e rëndë të marrëdhënieve Kinë-SHBA”.
Gjatë vizitës kundërthënëse, Kina zhvilloi një stërvitje ushtarake me zjarr të vërtetë në linjën ujore që ndan ishullin nga kontinenti. Këtë vit, administrata e presidentit Joe Biden ka thënë se angazhimi i saj ndaj Tajvanit është “i fortë si një shkëmb”.
Në ditët e para të presidencës së z. Biden, Tajvani raportoi një “inkursion të madh” nga aeroplanët luftarakë kinezë gjatë dy ditëve. Pastaj, më 12 prill, Qeveria tajvaneze tha se Kina dërgoi numrin më të madh të avionëve ushtarakë në zonën e saj të mbrojtjes ajrore deri më tash.
Si përgjigje, Admirali amerikan, John Aquilino, kreu i komandës Indo-Paqësore të Pentagonit, paralajmëroi se një pushtim kinez i Tajvanit “është shumë më afër sesa që mendojnë shumica”. Pra, kush e njeh Tajvanin? Ekziston mosmarrëveshje dhe konfuzion rreth asaj që është Tajvani në të vërtetë.
Kina e konsideron Tajvanin si një provincë të shkëputur, të cilën është zotuar ta rimarrë, bile edhe me forcë nëse është e nevojshme. Por, udhëheqësit e Tajvanit thonë se kjo është shumë më tepër sesa një provincë, duke argumentuar se Tajvani është një shtet sovran.
Tajvani ka kushtetutën e vet, udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rreth 300,000 trupa aktive në forcat e saj të armatosura.
Qeveria e Republikës së Kinës (e njohur si ROC) e Chiang Kai-shek-it, e cila u largua nga kontinenti në Tajvan në vitin 1949, në fillim pretendoi të përfaqësonte të gjithë Kinën, të cilën synonte ta ripushtonte. Ajo mbajti vendin e Kinës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe u njoh nga shumë kombe perëndimore si e vetmja Qeveri kineze.
Por, në vitin 1971, OKB-ja e ndryshoi njohjen diplomatike në Pekin dhe Qeveria e ROC u detyrua të largohej. Që nga ajo kohë, numri i vendeve që njohin Qeverinë e ROC-it në mënyrë diplomatike ka rënë në mënyrë drastike në rreth 15.
Duke pasur parasysh ndarjen e madhe midis këtyre dy pozicioneve, shumica e vendeve të tjera duket se janë të lumtura të pranojnë paqartësinë aktuale, sipas së cilës Tajvani ka praktikisht të gjitha karakteristikat e një shteti të pavarur, pavarësisht se statusi i tij ligjor mbetet i paqartë.
Sa është e rëndësishme pavarësia në Tajvan? Ndërsa progresi politik ka qenë i ngadaltë, lidhjet midis dy popujve dhe ekonomive janë rritur ndjeshëm. Kompanitë tajvaneze kanë investuar rreth 60 miliardë dollarë në Kinë, ndërkaq nja një milion tajvanezë tani jetojnë atje, shumë prej tyre kanë edhe fabrika tajvaneze.
Disa tajvanezë shqetësohen se ekonomia e tyre tani varet nga Kina. Të tjerë besojnë se lidhjet më të afërta të biznesit e bëjnë veprimin ushtarak kinez më pak të mundshëm, për shkak të kostos për vetë ekonominë e Kinës.
Një marrëveshje e diskutueshme tregtare shkaktoi “Lëvizjen e Lulediellit” në vitin 2014, ku studentët dhe aktivistët pushtuan parlamentin e Tajvanit, duke protestuar kundër asaj që ata e quajtën ndikim në rritje të Kinës mbi Tajvanin.
Zyrtarisht, partia në pushtet ende favorizon pavarësinë përfundimtare zyrtare për Tajvanin, ndërsa KMT favorizon ribashkimin përfundimtar. Një sondazh opinioni i marsit të vitit 2021, i kryer nga Qeveria tajvaneze, tregon se aktualisht shumica e tajvanezëve mbështet qasjen e qeverisë aktuale në “ruajtjen e sovranitetit kombëtar”. Gjithnjë e më shumë njerëz, po ashtu thonë se ndihen më shumë tajvanezë sesa kinezë.
Në zgjedhjet e vitit 2020, zonja Tsai fitoi me një rekord prej 8.2 milionë votash, gjë që u pa gjerësisht si një zhgënjim i madh për Pekinin.























