Mianmar, të paktën 800 ushtarakë kanë dezertuar që nga grushti i shtetit
Deri më tani të paktën 800 persona kundër grushtit kanë dezertuar nga ushtria për të dhënë mbështetje ndaj kundërshtarëve të grushtit.
Që nga grushti i shtetit e deri më tani në Mianmar njoftohet se të paktën 800 ushtarakë kanë dezertuar nga ushtria për të ndihmuar grupet kundër grushtit të shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kapiteni Lin Htet Aung, i cili ka dezertuar nga ushtria që nga muaji mars, në një intervistë për faqen Myanmar Now ka dhënë informacione lidhur me personelin që ka dezertuar nga ushtria e Mianmarit që nga 1 shkurti e deri më tani.
Deri më tani të paktën 800 persona kundër grushtit kanë dezertuar nga ushtria për të dhënë mbështetje ndaj kundërshtarëve të grushtit, njoftoi Aung. "Tre të katërtat e atyre që kanë dezertuar i janë bashkuar Ushtrisë së Mbrojtjes Popullore që qeveria civile ka formuar kundër grushtit. Ndërsa të tjerët dëshirojnë të mbështesin kundërshtarët e grushtit pa hyrë në ndonjë grup të armatosur", theksoi Aung.
Aung nënvizoi se rreth 100 persona të larguar nga ushtria janë persona me grada dhe se këto ofrojnë trajnime për luftim ndaj kundërshtarëve të grushtit në rajonet nën kontrollin e grupeve të armatosura etnike.
Një pjesë të madhe të atyre që kanë dezertuar nga ushtria e Mianmarit e përbëjnë personeli i forcave detare dhe ajrore, tha Aung.
"Personeli i forcave tokësore në përgjithësi kryejnë detyrën larg familjeve të tyre. Ata hezitojnë të mbështesin kundërshtarët e grushtit të shtetit sepse kanë frikë që siguria e familjeve të tyre do të rrezikohet nëse dezertojnë nga ushtria", u shpreh Aung.
Grusht shteti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Deri tani 857 persona e kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së ushtrisë ndaj kundërshtarëve të grushtit të shtetit.
Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë në arrest.























