Borrell: Ka gjasa të miratohen sanksione ndaj Bjellorusisë këtë muaj
BKT
   Bota

Borrell: Ka gjasa të miratohen sanksione ndaj Bjellorusisë këtë muaj

Sanksionet kundër regjimit bjellorus ka të ngjarë të miratohen këtë muaj, deklaroi shefi i politikës së jashtme të BE-së.

Të martën, Josep Borrell teksa po fliste me eurodeputetët shpjegoi se masat ndëshkuese kundër Aleksandër Lukashenkos dhe administratës së tij do të miratohen në takimin e ardhshëm të ministrave të punëve të jashtme të Bashkimit Europian.

“Siç është mandatuar nga Këshilli Evropian dhe së bashku me Komisionin, ne kemi filluar sanksione ekonomike të synuara, siç kërkoi këshilli, që do të miratohen në Këshillin e ardhshëm të Punëve të Jashtme”, u tha Borrell eurodeputetëve në Strasburg.

Borrell teksa po fliste para Parlamentit Evropian për rrëmbimin e një fluturimi të pasagjerëve Ryanair dhe arrestimin e gazetarit disident Roman Protasevich, gjithashtu tha se paraqitja e fundit e gazetarit në televizonin shtetëror bjellorus ishte “e tmerrshme” për t’u parë.

“Rrëfimi i tyre i detyruar në televizionin shtetëror është një shembull tjetër i shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut që kryen regjimi i Lukashenkos. Ishte sigurisht e tmerrshme të shikoje këtë imazh të këtyre njerëzve të ndaluar dhe duke qarë”, u tha Borrell ligjvënësve në Strasburg.

Javën e kaluar, Këshilli Evropian ra dakord për një përgjigje të menjëhershme, të synuar ndaj rrëmbimit të linjës ajrore, duke ndaluar linjat ajrore bjelloruse të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të BE ose duke përdorur aeroportet e saj, transmeton euronews.albania.

Të martën, Lukashenko nënshkroi një ligj që shtrëngon sanksionet kundër protestuesve që marrin pjesë në tubime të paautorizuara, i cili gjithashtu rrit dënimet për ata që shpallen fajtorë për “ekstremizmin” në Bjellorusi.