Arabia Saudite lejon gratë të jetojnë vetëm pa marrë leje nga burrat

Arabia Saudite lejon gratë të jetojnë vetëm pa marrë leje nga burrat

Arabia Saudite ka ndryshuar një pjesë të një ligji, duke lejuar që gratë beqare, të pamartuara, të divorcuara dhe të veja, të jetojnë vetëm nga familjet e tyre pa pasur nevojë për pëlqimin e kujdestarit apo të kryefamiljarit.

Ligji, pjesë e nenit 169 të Ligjit të Procedurës para Sheriatit, u hoq dhe u zëvendësua nga një ndryshim që lejon gratë e rritura, me mendje racionale, të jetojnë në shtëpi të ndara, shkruan TRT World.

Ky ndryshim erdhi si pjesë e një vendimi historik në favor të 32-vjeçares Mariam al Otaibi, një shkrimtare, e cila fitoi çështjen e saj në gjykatat Saudite për të jetuar vetëm. Ajo kishte kaluar më shumë se 100 ditë në burg në Arabinë Saudite, pasi babai i saj kishte bërë denoncim në polici për largimin nga shtëpia dhe puna pa leje.

Nga fëmijëria deri në moshën e rritur, çdo grua saudite kalon nga kontrolli i një kujdestari ligjor tek tjetri, vendimet e të cilit mund të përcaktojnë rrjedhën e jetës së saj. Kujdestarët ligjorë shpesh janë babai ose burri, por gjithashtu mund të jenë vëlla ose edhe djali.