Biden me ton realist pas takimit me Putinin
Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin kanë përfunduar samitin e tyre në Gjenevë, me zotin Biden që e cilësoi atë si "të mirë" dhe "pozitiv".
Por ai më tej e përshkroi samitin me një ton realist, kur tha se disa muajt e ardhshëm do të shërbejnë si një "provë" nëse marrëdhëniet mes dy vendeve mund të përmirësohen.
"Unë nuk jam duke thënë se presidenti dhe unë ramë dakord se do t'i bëjmë këto gjëra dhe papritmas çdo gjë do të funksionojë," tha presidenti Biden gjatë konferencës për shtyp pas takimit të tij më shumë se tre orë me Putinin. “Unë nuk po e them këtë”.
"Ajo që po them është se mendoj se ka një perspektivë të mirëfilltë për të përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet mes dy vendeve tona, pa hequr dorë nga asnjë gjë e vetme, e parimeve dhe vlerave tona," tha presidenti Biden.
Në konferencën e tij për shtyp pas samitit, Putini, duke folur përmes një përkthyesi, gjithashtu e cilësoi takimin si "konstruktiv". Ai tha se nuk kishte "armiqësi", duke e quajtur udhëheqësin amerikan një "njeri konstruktiv, të ekuilibruar dhe me përvojë, dhe një politikan me përvojë".
Pas samitit, Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini lëshuan deklarata identike, duke theksuar se "edhe në periudha tensioni", të dy vendet kanë demonstruar se janë në gjendje të bëjnë përparim në "qëllimet e përbashkëta për të siguruar parashikueshmëri në sferën strategjike, duke ulur rrezikun e konflikteve të armatosura dhe kërcënimit të luftës bërthamore”.
Të dy qeveritë thanë se do të fillojnë konsultimet mbi stabilitetin strategjik për të menaxhuar marrëdhëniet. Në konferencën e tij për shtyp, Putini vuri në dukje se si fuqi bërthamore, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë një përgjegjësi të veçantë për të mbajtur marrëdhënie mes tyre.
U.S. President Joe Biden and Russia's President Vladimir Putin meet for the U.S.-Russia summit at Villa La Grange in Geneva, Switzerland, June 16, 2021.
Pikat e Mprehta
Ndërsa të dy udhëheqësit vunë në dukje se bisedimet ishin produktive, duket qartë që ka përçarje.
Bideni tha se kishte mosmarrëveshje, por "nuk u bënë në një atmosferë hiperbolike", duke shtuar se gjatë takimit nuk u bë asnjë kërcënim.
Mosmarrëveshjet përfshijnë çështjen e Ukrainës, sulmet kibernetike dhe të drejtat e njeriut.
"Theksova faktin se ne kemi aftësi të konsiderueshme kibernetike dhe ai e di këtë. Ai nuk e di saktësisht se çfarë aftësie, por ajo është domethënëse," tha zoti Biden, duke theksuar se i tha Putinit se infrastruktura kritike e Shteteve të Bashkuara nuk duhet të "preket" nga sulmet kibernetike.
Presidenti Biden duket se sugjeroi se nëse Moska fillon një sulm të tillë, Shtetet e Bashkuara mund të hakmerren "përmes një rruge kibernetike".
"E pashë në sy dhe i thashë: 'Si do të ndiheshit nëse hakerat do të merrnin nën kontroll tubacionet tuaja të naftës?'" tha presidenti Biden.
Switzerland, Geneva, Russia's President Vladimir Putin gestures as he holds a news conference after the U.S.-Russia summit with U.S. President Joe Biden
Putini mohon akuzat e Shteteve të Bashkuara për ndërhyrje në zgjedhje dhe sulmet kibernetike, përfshirë sulmet me programe kompjuterike ndaj bizneseve amerikane për të cilat agjencitë e zbulimit amerikan kanë arritur në përfundimin se mund të vijnë nga territoret ruse.
Bideni tha gjithashtu se ai "ia bëri të qartë" Putinit se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ngrejnë çështjen e të drejtave të njeriut.
"Të drejtat e njeriut do të jenë gjithmonë në tryezë," tha presidenti Biden. Ai tha se përmendi çështje të tilla si ndalimin e udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny dhe Trevor Reed-it, një ish marins amerikan i burgosur në Rusi.
Putini qëndroi i vendosur për pozicionin e tij ndaj Navalny-t. “Ky njeri e dinte se po shkelte ligjin e Rusisë. Ai është dënuar dy herë, ”tha Putini, duke vazhduar zakonin e tij për të mos e përmendur me emër aktivistin e opozitës.
Duke përsëritur pretendimin zyrtar të Rusisë, Putini tha se Navalny shkeli kushtet e lirimit të përcaktuara vitin e kaluar duke shkuar jashtë vendit ndërsa ishte pa ndjenja pas një helmimi të dukshëm me agjentin nervor Novichok dhe duke mos njoftuar zyrtarët rusë siç kërkohej.
Presidenti Biden nënvizoi thirrjen për liri të shtypit. "Unë gjithashtu ngrita çështjen e Radios Evropa e Lirë / Radio Liria për të vepruar, dhe rëndësinë e një shtypi të lirë dhe lirinë e fjalës," tha presidenti Biden duke iu referuar mediave të financuara nga Shtetet e Bashkuara që janë klasifikuar si "agjentë të huaj" nga qeveria ruse dhe akuzohen për shkelje të rregullave e që mund të dënohen me gjoba të rënda, madje edhe me burgim.
Një incident i fundit në të cilin një kompani ajrore komerciale u detyrua të ulej në Minsk, në mënyrë që autoritetet bjelloruse të mund të arrestonin një disident të shquar, gjithashtu u diskutua në takim, tha presidenti Biden, duke shtuar se Putini "nuk kishte kundërshtime me atë që ndodhi".
"Ai thjesht tha se është një perspektivë e veprimeve që mund të ndërmerren," tha presidenti Biden. Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko mbështetet shumë tek Putini./VoA























