Mbi 4 milion viktima janë regjistruar globalisht që nga fillimi i pandemisë
Mbi 4 milion viktima janë shënuar globalisht që nga fillimi i pandemisë, ndërsa vazhdon “lufta” për shpërndarjen e vaksinave.
Megjithëse rastet e SARS-CoV-2 dhe viktimat për shkak të COVID-19 kanë pësuar rënie në vende të tilla si SHBA dhe Britani, shumë vende po përballen me mungesa të vaksinave pasi varianti Delta po bëhet dominues në nivel ndërkombëtar.
Një vit më parë numri i viktimave për shkak të pandemisë arriti në 2 milion. Ndërsa 2 milion viktima të tjera u shënuan vetëm në 166 ditë. Pesë vendet më të prekura janë- Shtetet e Bashkuara, Brazili, India, Rusia dhe Meksika – të cilat përbëjnë gati 50 përqind të viktimave në botë.
Peruja, Hungaria, Bosnja, Republika Çeke dhe Gjibraltari kanë nivelet më të larta të vdekshmërisë në raport me popullsinë e tyre. Vendet e Amerikës Latine dhe Karaibet po përballen me shpërthimin më të keq të pandemisë që nga marsi.























