Bisedimet bërthamore me Iranin, pas zgjedhjes së Presidentit të ri

Bisedimet bërthamore me Iranin, pas zgjedhjes së Presidentit të ri

Irani ka zgjedhur një president të ri, përkrahës i linjës së ashpër, në një kohë pasigurie rreth bisedimeve ndërkombëtare për të frenuar programin bërthamor të Teheranit. Kjo çështje, ishte një temë diskutimi edhe në takimin e fundit midis presidentin amerikan Joe Biden dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Zgjedhja e përkrahësit të vijës së ashpër, Ebrahim Raisi si presidenti i ri i Iranit, vjen disa ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se ai dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin diskutuan për programin bërthamor të Teheranit në samitin e tyre të fundit në Gjenevë.

“Është në interes të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të sigurojnë që Irani të mos ketë armë bërthamore. Ne ramë dakord të punojmë së bashku”, tha presidenti Biden në konferencën për shtyp.

Në muajin prill, rifilluan negociatat bërthamore me Iranin, për të bërë që Teherani të jetë sërish pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare të vitit 2015. Kjo marrëveshje vendos kufizime për programin bërthamor të Republikës Islamike në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Irani u tërhoq nga angazhimet e tij bërthamore, pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump në vitin 2018 tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione të reja ndaj Teheranit.

SHBA tani po merr pjesë në bisedime indirekte në Vjenë, me diplomatë nga pesë vende që veprojnë si ndërmjetës me Iranin. Ministri i jashtëm i Iranit tha se një marrëveshje mund të arrihej më vonë gjatë këtij viti, para se presidenti i ri të marrë detyrën.

Shtëpia e Bardhë nuk ka lënë të kuptohet se pret ndonjë përparim në negociata, por ka shfaqur oprimizëm të matur lidhur me to.

“Ajo që unë do të thoja është se ka ende disa pikëpyetje për disa çështje kryesore, përfshirë sanksionet dhe angazhimet bërthamore të Iranit. Por jemi në drejtimin e duhur sa i përket punës që po bëhet në Vjenë me bisedimet”, tha Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Të dielën, negociatorët ndërprenë raundin e fundit të bisedimeve në kryeqytetin e Austrisë, për t'u konsultuar me qeveritë e tyre përkatëse. Ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të rinisin bisedimet.