Tajvani thotë se do të jetë “forcë për të mirë” pas mbështetjes nga G7

Tajvani thotë se do të jetë “forcë për të mirë” pas mbështetjes nga G7

Tajvani do të jetë një “forcë për të mirë” dhe do të vazhdojë të kërkojë mbështetje edhe më të madhe ndërkombëtare, tha zyra presidenciale, pasi ishulli për të cilin kinezët pretendojnë se është i tyre fitoi mbështetje të paparë nga Grupi i Shtatë i demokracive kryesore të botës.

Udhëheqësit e G7-ës qortuan të dielën Kinën për të drejtat e njeriut në Xinjiang, duke bërë thirrje që Hong-Kongu të mbajë një shkallë të lartë të autonomisë dhe duke nënvizuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit përtej ngushticës së Tajvanit, raporton Reuters.

Zëdhënësi i zyrës presidenciale të Tajvanit, Xavier Chang, tha se kjo ishte hera e parë që komunikata e udhëheqësve të G7-ës përmendi rëndësinë e paqes dhe të stabilitetit në këtë ishull, dhe po ashtu hera e parë që nga themelimi i saj se kishte “përmbajtje miqësore me Tajvanin”, për çka shprehu falënderime të thella për mbështetjen.

Tajvani dhe vendet anëtare të G7-ës ndajnë vlerat themelore, si demokracia, liria dhe të drejtat e njeriut, shtoi ai.

“Tajvani do t’i përmbahet rolit të tij si një anëtar i përgjegjshëm i rajonit dhe gjithashtu do të mbrojë me vendosmëri sistemin demokratik dhe vlerat e përbashkëta universale”, tha Chang.

Tajvani do të vazhdojë të thellojë partneritetin e tij me vendet e G7-ës dhe vendet e tjera me të njëjtat mendime dhe do të përkushtohet të marrë një mbështetje më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare, tha ai.

Tajvani, gjithashtu do të “kontribuojë në mënyrë të vendosur dhe me shumë përkushtim në të mirë” të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin Indo-Paqësor, shtoi Chang.

Kina ka rritur presionin e saj kundër Tajvanit, të drejtuar në mënyrë demokratike, në muajt e fundit, me stërvitje të rregullta ushtarake pranë ishullit, ndërsa përpiqet të pohojë sovranitetin e Pekinit.

Derisa shumica e vendeve, përfshirë anëtarët e G7-ës, nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, grupi, së bashku me aleatët e tjerë perëndimorë, kanë forcuar mbështetjen e tyre për ishullin.

Kjo përfshin edhe kërkesën që Tajvanit t’i jepet qasja e duhur në Organizatën Botërore të Shëndetësisë gjatë pandemisë së COVID-19. Tajvani nuk është anëtar për shkak të kundërshtisë kineze, që e konsideron atë, thjesht, si një nga provincat e saj pa të drejtë shkëputjeje.