Joe Biden ëndërron një aleancë të demokracive

Joe Biden ëndërron një aleancë të demokracive

Nga Gabriele Checchia, Formiche.net

Turi i ngjeshur evropian i presidentit amerikan Joe Biden – me 5 ditë samitet radhazi:G7, samiti i NATO dhe BE-së në Bruksel dhe në fund me Vladimir Putin -meriton një sërë konsideratash.

E para është se me këtë mision në Kontinentin e Vjetër (jo rastësisht i pari jashtë vendit që kur mori detyrën në janar të këtij viti), pasardhësi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, përveç sigurimit të një sinjali të ndarjes së dukshme me qasjen e Trump bazuar tek

“mos-angazhimi”dhe bilateralizmi i orientuar nga biznesi, Biden synoi të konfirmonte gatishmërinë e administratës së tij për të ringjallur lidhjen me aleatët tradicionalë të Shteteve të Bashkuara në këtë anë të Atlantikut.

Duke filluar nga Britania e Madhe pas Brexit siç u dëshmua nga takimi i parë dypalësh me Boris Johnson, që synoi të nënvizonte se marrëdhënia e veçantë anglo-amerikane ka ende përpara ditë të mira, dhe se administrata Biden i kushton gjithashtu një rëndësi të veçantë kësaj marrëdhënieje të privilegjuar.

Dhe e gjitha kjo, pasi siguroi një sinjal të ngjashëm, dhe jo ​​më pak të rëndësishëm të vëmendjes dhe dëshirës për të ndërtuar një front të përbashkët përballë sfidës kineze, me aleatët e zonës aziatike, kur takoi më herët në Uashington kryeministrin japonez Yoshihide Suga dhe presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in.

Së dyti,siç e shpjegoi edhe vete Biden në një konferencë për shtyp pas samitit tëG7, Amerika është sërish në tryezën ku diskutohen sfidat më të mëdha globale, dhe është e gatshme që të udhëheqë luftën për ta fituar sfidën epokale të shkaktuar nga autokracitë (Rusia, Kina, Irani).

Gatishmëria për t’iu kundërvënë sfidës dhe agresivitetit të autokracive, konfirmohet edhe nga vendimi i samitit të NATO-s për të lejuar evokimin e Nenit 5 (që garanton mbrojtjen kolektive të aleancës),për t`u përballur me sulmet kibernetike njëlloj siç ndodh në rastin e akteve të luftës.

Një angazhim i rëndësishëm, por që ndoshta është i destinuar të tregojë se nuk është i lehtë që të zbatohet nën dritën e vështirësisë së njohur të caktimit me siguri të plotë të njërit apo tjetrit “aktor” armiqësor, si përgjegjës për sulmet kibernetike.

Së treti,Shtetet e Bashkuara të udhëhequra nga Joe Biden, synojnë të bëhen interpretuese dhe udhëheqëse të një vizioni të rendit ndërkombëtar,të bazuar jo vetëm në rregulla, por edhe në mbrojtjen e pa kompromis të multilateralizmit dhe vlerave të përbashkëta.

Në thelb, ajo që kërkon Biden nga ne evropianët është t’i bashkohemi Shteteve të Bashkuara në një lloj “lige të demokracive”, që do të jetë në thelbanti-Kinë, dhe të kompaktësohemi për të frenuar së bashku kërcënimet ruse.

Ndërkohë, kërkohet edhe një vëmendje më e madhe ndaj gjeopolitikës, teksa Uashington synon të bëjë përpjekjet maksimale për të parandaluar bashkëpunimin pragmatik midis Pekinit dhe Moskës. Por a mund të arrihet synimi i Biden?

Jo domosdoshmërisht. Për mendimin tim, të paktën 2 janë faktorët e rrezikut që mund ta zhvlerësojnë, apo ta komprometojnë realizueshmërinë e planit të presidentit amerikan.

Së pari, projekti i“Ligës së Demokracive” mund të marrë trajtat e njërit prej dy poleve të një “përplasjeje qytetërimesh”përgjatë linjave të hipotezuara më parë nga Samuel Huntington.

Në këtë mënyrë, ai do të përfundonte i transformuar nga një instrument i dobishëm i një natyre thelbësisht gjeopolitike, në një instrument tënjë natyrë “ideologjike”.

Ndërkohë, nuk  duhet të neglizhohen dy çështje të tjera jetike, të përfaqësuara nga njëra anë, nga mungesa e një vizioni brenda administratës demokrate në lidhje me metodat dhe instrumentet,falë të cilave Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë partnere duhet të trajtojnë bashkërisht sfidat strategjike me të cilat duhet të përballet “aleanca e demokracive”.

Nga ana tjetër, nga vështirësia për të përcaktuar se në cilën lartësi duhet vendosur “steka”, në mënyrë që të mund të flasim për “demokraci”, dhe për këtë arsye për një vend që është i aftë të integrohet në mënyrë të besueshme në“frontin anti-autoritar”.

Faktori i dytë që mund të jetë një pengesë serioze për konsolidimin e një aleance anti-kineze dhe anti-ruse, si ajo që po promovohet nga Biden, ka të bëjë me faktin se për aleatët evropianë, arsyet e sigurisë nuk përkojnë domosdoshmërisht me ato ekonomike.

Shprehja e fundit e presidentit francez Emmanuel Macron, sipas së cilës Franca është sigurisht në krah të Shtetevetë Bashkuara kur bëhet fjalë për sigurinë, por nuk është e gatshme të prishë marrëdhëniet e saj ekonomike me Moskën dhe Pekinin, është e vlefshme për të gjithë të tjerët.

Është një qasje e mesme e cila pasqyron sigurisht ndjenjat e një pjese të madhe të establishmentit ekonomiko-industrial gjerman, atij italian si dhe të vendeve të tjera të rëndësishme evropiane. Vështirësia në pajtimin e besnikërisë ndaj SHBA-së në fushën e sigurisë dhe vlerave të përbashkëta, me promovimin e interesave në fushën ekonomike, theksohet nga fakti se siguria dhe ekonomia po i mbivendosen gjithnjë e më shumë njëra-tjetrës.

Mjafton të mendoni pak për sektorin e telekomunikacionit, rrjetin e diskutueshëm 5G, bateritë, mikroprocesorët thelbësorë etj. Në të gjitha këto raste, këto çështje mund të shtyjnë të paktën disa evropianë më shumë drejt Kinës sesa drejt Shteteve të Bashkuara. Kjo është një konkurrencë e hapur, e cila mund të bëhet edhe më e fortë në perspektivë, duke pasur parasysh rritjen mbresëlënëse të Kinës në sektorët më inovativë.

Ka arsye të besohet se do të duhen gjeste konkrete nga administrata Biden për t’i bindur evropianët të jenë aleatë të qëndrueshëm dhe të besueshëm. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, të qëndrueshëm në qasjen e propozuar.

Në thelb, “aleanca e demokracive” e mbështetur nga presidenti demokrat amerikan, është sigurisht një objektiv që ia vlen të ndiqet, dhe një katalizator i mundshëm për përpjekjet në të dyja anët e Atlantikut për të hedhur një hop cilësor të qëndrueshëm dhe të gjerë, në marrëdhëniet midis dy brigjeve.

Gjithsesi, është ende herët të kemi një përgjigje përfundimtare ndaj pyetjes themelore:A do të arrijë forca centripetale e vlerave të përbashkëta, në sfondin e kërcënimeve të përbashkëta, të kapërcejë centrifugën e interesave tregtare të njënjë numri të madh vendesh të përfshira?Këtë do ta tregojnë faktet./abcnews/

Shënim: Gabriele Checchia, ish-ambasador, aktualisht drejtues i komitetit strategjik në Komitetit Italian të Atlantikut.