Gjonaj: Politika të reja shëndetësore për të burgosurit
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha sot se “standardet e konventës së OKB-së kundër Torturës dhe Ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore, degraduese, janë parimet bazë mbi të cilat kemi ndërmarrë reformën në sistemin penitenciar për përmirësimin e kushteve dhe respektimin e të drejtave dhe trajtimit të personave të burgosur”.
Duke përkujtuar këtë konventë, Gjonaj tha se “për shumëkënd, 26 qershori është thjesht një datë, por ne nuk mund të mos përkujtojmë çdo vit 26 qershorin e vitit 1977, këtë datë të rëndësishme në historinë e të drejtave të njeriut, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi Konventën kundër Torturës dhe Ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore, degraduese, duke ndërkombëtarizuar kështu përgjegjësinë e shteteve për sigurimin e të drejtave të njeriut”.
Ministrja Gjonaj u shpreh se “transformuam thellë policinë e burgjeve duke e trajnuar dhe motivuar për përmbushjen me me integritet të misionit të garantimit të sigurisë dhe respektimit të dinjitetit njerëzor të të burgosurve”.
“Kemi bërë realitet për herë të parë në historinë e sistemit të burgjeve shqiptare, zbatimin e politikave të reja shëndetësore për të burgosurit dhe stafin shëndetësor në burgje.
Kemi aplikuar programe bashkëkohore rehabilitimi, formimi profesional, punësimi dhe përgatitjes për liri, duke investuar me efektivitet për riintegrim të suksesshëm në shoqëri”- tha Gjonaj.
Gjonaj shtoi se “kemi përsosur teknologjinë e informacionit në sistemin e burgjeve, duke ofruar më tepër garanci në mbrojtjen e të dhënave personale të të burgosurve”./atsh























