Si po përhapet mutacioni “Delta” në Europë?
Përderisa të dhënat epidemiologjike në Europë momentalisht tregojnë një pamje më të mirë, mutacioni “Delta” i zbuluar për herë të parë në Indi po përhapet me shpejtësi në të gjithë kontinentin e vjetër.
Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve mutacioni “Delta” është 40 deri 60% më ngjitës se varianti fillestar dhe gjithnjë e më shumë vende po përballen me këtë kërcënim të ri.
Vendi më i goditur është Britania, ku mutacioni “Delta” ka dominuar në vetëm disa javë. Në 24 orët e fundit në Britani 18,270 njerëz u zbuluan pozitivë për virusin, me numrin e rasteve që ishte më i larti pas 5 shkurtit ku u regjistruan 19,144 raste.
“Delta” gjithashtu po dominon në Portugali dhe Rusi, ndërsa në Izrael rastet arritën nivelin më të lartë që nga 5 maji me vendin që rivendosi përdorimin e detyrueshëm të maskës në ambientet e brendshme.
























