IISS: Fuqia kibernetike kineze inferiore ndaj asaj amerikane
Pavarësisht akuzave nga qeveritë dhe bizneset perëndimore për hakerime kineze, fuqia kibernetike e Pekinit është dukshëm inferiore ndaj asaj amerikane, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), me seli në Londër.
IISS, që organizon rregullisht konferenca që përfshijnë disa nga ministritë më të fuqishme në botë të Mbrojtjes, deklaroi sot se ”Kina nuk ka gjasa të përputhet me aftësitë kibernetike të SHBA për të paktën edhe dekadën e ardhshme”.
”Vetëm SHBA janë fuqia kryesore kibernetike në botë”, theksoi IISS në një raport të ri me 174 faqe që shqyrton aftësitë kompjuterike të 15 vendeve.
Studimi e renditi Kinën në nivelin e dytë, së bashku me Australinë, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Francën, Izraelin dhe Rusinë.
Kjo e fundit dyshohet se ishte burimi i një sulmi të ashtuquajtur ransomware në maj që paralizoi shërbimin shëndetësor irlandez.
Dhe pavarësisht shqetësimeve në rritje për hakerimet e sponsorizuara nga shteti dhe krimin kibernetik të ideuar nga Pheniani, Koreja e Veriut u rendit në një shkallë të tretë të vendeve me “pika të forta në disa kategori, por dobësi të konsiderueshme në të tjera”./atsh























