Liban, bllokohen rrugët në qytete nga protestuesit kundër kostos së jetesës
Protestat filluan në ditët e kaluara si reagim ndaj zhvlerësimit të lirës libaneze kundrejt dollarit, krizës së karburantit dhe ilaçeve dhe rritjes së çmimit të produkteve ushqimore.
Në shumë qytete të Libanit sërish u organizuan protesta kundër kushteve të përkeqësuara të jetesës, raporton Anadolu Agency.
Protestat filluan në ditët e kaluara si reagim ndaj zhvlerësimit të lirës libaneze kundrejt dollarit, krizës së karburantit dhe ilaçeve dhe rritjes së çmimit të produkteve ushqimore.
Në kryeqytetin Bejrut, protestuesit bllokuan rrugët me kontejnerë mbeturinash në shumë zona të qytetit.
Mbyllja e autostradës që lidh Bejrutin me qytetet në jug shkaktoi bllokime të trafikut. Forcat e sigurisë ndërhynë për të hapur rrugën.
Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve NNA, një përplasje shpërtheu midis protestuesve dhe forcave të sigurisë të cilët u përpoqën të bllokonin Sheshin e Martirëve në qytetin jugor Sidon, ku tre persona u plagosën.
Ndërkaq, në Tripoli, protestuesit sulmuan ndërtesën e kompanisë së energjisë elektrike në përgjigje të ndërprerjeve gjata të energjisë, por forcat e sigurisë i dëbuan demonstruesit nga ndërtesa pa ndonjë përleshje.
Incidente të ngjashme ndodhën në autostradën Al-Sham në pjesën qendrore, e cila lidh Bejrutin me kufirin sirian.
Nga ana tjetër, presidenti Michel Aoun, në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, thirri Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, i cili përbëhet nga komandantë të lartë, në një takim sot për të vlerësuar zhvillimet e fundit në vend.
- Kriza ekonomike në Liban
Ekonomia e Libanit, që ka një strukturë shumë të brishtë për sa i përket ndarjeve politike të bazuara në fe dhe sekte të ndryshme, po përjeton krizën më të madhe që nga lufta civile e viteve 1975-1990.
Monedha vendase, lira libaneze, tregtohet me çmime të ndryshme me zhvlerësim në banka dhe tregun e zi, edhe pse Banka Qendrore mban konstant kursin e këmbimit. Ndërsa norma zyrtare e përcaktuar nga Banka Qendrore ishte 1.507 dhe norma aktuale në banka ishte 3.900 lira, dollari në ditët e fundit tregtohej në mbi 18 mijë lira në tregun e zi.























