Aktivisti rus burgoset pse veshi maicë me mbishkrimin “Liri për Navalnyn”
BKT
   Bota

Aktivisti rus burgoset pse veshi maicë me mbishkrimin “Liri për Navalnyn”

Një aktivist rus është dënuar për ecje në Sheshin e Kuq të Moskës me maicë në të cilën shkruhej “Liri për Navalnyn”, lider i opozitës ruse që është burgosur.

Një gjykatë në Moskë e dënoi të mërkurën me dhjetë ditë burgim Vladislav Kazakovin për shkeljen e ligjit për mbajtjen e ngjarjeve publike, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Kazakov ishte ndaluar në Sheshin e Kuq një ditë më parë. Persona të paidentifikuar gjithashtu ia vunë flakën veturës së tij, në xhamin e pasmë të së cilës shkruhej “Liri për Navalnyn”.

I dënuari më parë ishte vullnetar në zyrat politike të Navalnyt në qytetin Saratov, të cilat tashmë janë mbyllur pasi rrjeti i opozitarit u shpall ekstremist nga autoritetet ruse.

Navalny, kritiku më i njohur vendës i Putinit, u arrestua në janar pas kthimit nga Gjermania, ku mori trajtim mjekësor për pesë muaj pas hemimit me agjent nervor në Rusi. Ai e ka fajësuar Kremlinin për helmimin e tij, por autoritetet ruse kanë mohuar se kanë gisht në këtë çështje.

Ai është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim në një rast që nga shumë njerëz u pa si i motivuar politikisht. Në prill, dhjetëra mijëra njerëz protestuan për lirimin e tij, pas protestave të ngjashme masive në janar kundër arrestimit të Navalnyt.