Me përparimet e talebanëve bie liria e shtypit në Afganistan
Ndërsa situata e sigurisë në Afganistan po përkeqësohet me përparimet e talebanëve, në atë vend po vihen në rrezik të gjitha arritjet e bëra gjatë 20 viteve të fundit. Një prej tyre është edhe shtypi i lirë. Nga zero media të pavarura, në Afganistan u krijuan 170 stacione radiosh që aktuliasht janë në rrezik. Zëri i Amerikës raporton nga Islamabadi mbi rreziqet që i kanosen medias në Afganistan.
Qarqe dhe krahina të tëra në Afganistan vazhdojnë të bien në duart e talebanëve. Gjatë tre muajve të fundit grupi militant ka dyfishuar territorin që kontrollon.
Liria e shtypit është një prej viktimave publike të talibanëve. Afro 50 gazetarë të frikësuar për jetën e tyre u larguan. Më shumë se 20 media kanë ndaluar funksionimin. Të tjerët janë detyruar të transmetojnë propagandën talebane. Najib Sharifi, drejtor i Komitetit të Sigurisë së Gazetarëve Afganë, tha për Zërin e Amerikës se situata është shumë e frikshme.
“Të paktën pesë stacione mediatike private janë marrë nga talebanët, dhe përmes tyre talebanët transmetojnë propagandën e tyre. Ata gjithashtu kanë ndaluar transmetimin e muzikës dhe zërave të grave”.
Në një telefonatë me Zërin e Amerikës përmes rrjetit WhatsApp, zëdhënësi i talebanëve Suhail Shaheen i mohoi akuzat.
“Ne morëm vetëm stacionet e radiove të drejtuara nga qeveria e Kabulit. Meqenëse ato ishin në pronësi të qeverisë, dhe ne e zëvendësuam atë qeveri. Por stacionet e radiove private lejohen të veprojnë dhe u kemi thënë gazetarëve të veprojnë normalisht”.
Mohimet e talebanëve dhe sigurimet që ofrojnë ata duket se po bien në vesh të shurdhër. Gazetarët lokalë vazhdojnë të largohen ndërsa talibanët përparojnë.
Katër gazetarë të Zërit të Amerikës janë larguar nga shtëpitë e tyre drejt kryeqytetit Kabul. Fotografitë dhe disa video janë gjithçka që ata kanë nga jeta dhe puna e tyre në qytetet e lindjes.
Lina Shirzad u kërcënua nga njerëz të panjohur. Si gazetare grua, puna e saj ishte dyfish më e vështirë.
“Kam marrë shumë kërcënime kohët e fundit - madje edhe kërcënime me vdekje. Ata më thanë të ndaloja punën në media, por unë vazhdova. Kurrë nuk e prisja që talibanët të rrethonin vendlindjen time dhe unë nuk do të mund të punoj më si gazetare.”
Afganistani ishte tashmë një nga vendet më të rrezikshme për gazetarët. Javën e kaluar, fotografi i agjencisë së lajmeve Reuters Danish Siddiqui, fitues i Çmimit Pulitzer, u vra në luftime.
Ndërsa talibanët përparojnë, qarqe të tëra i ka mbuluar errësira mediatike. Askush nuk po verifikon akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut nga asnjëra palë. Dhe askush nuk mund të verifikojë pretendimet e talebanëve për qeverisje të mirë./VoA























