SHBA, ngecin negociatat mbi projektligjin për infrastrukturën

SHBA, ngecin negociatat mbi projektligjin për infrastrukturën

Një grup senatorësh centristë amerikanë mbetën të bllokuar të hënën në përpjekjen për të arritur marrëveshje mbi projektligjin 1.2 trilionë dollarësh të infrastrukturës për riparimin e rrugëve, urave dhe rritjen e fondeve për shërbimet e internetit të shpejtë.

Ligjvënësit republikanë dhe demokratë kishin shpresuar të finalizonin planin e tyre por ende nuk kanë arritur marrëveshje për shumat specifike të financimit për transportin publik, projektet e ujit, autostradat dhe përmirësimin e infrastrukturës së internetit të shpejtë për zonat rurale të vendit.

Një muaj më parë, Presidenti Joe Biden njoftoi marrëveshjen themelore me senatorët mbi planin, por negociatat janë zvarritur mbi detajet e shpenzimeve dhe mënyrën se si do të paguhet për ato.

Presidenti demokrat Joe Biden, gjashtë muaj pas fillimit të mandatit, e konsideron projektligjin e infrastrukturës si një nga përparësitë e tij më të mëdha legjislative dhe si një mënyrë të rëndësishme për t'u treguar votuesve se ai mund të negociojë një marrëveshje dy-partiake në Uashingtonin politikisht të përçarë.

Përkundër ngërçit të ri të hënën, Zëdhënësaj e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha, "është diçka që mund të pritet në momentet e fundit të nogociatave. Ka ende disa çështje të pazgjidhura.”

Megjithatë, Presidenti Biden u tha gazetarëve se, "Unë jam gjithmonë optimist" në lidhje me miratimin e projektligjit të infrastrukturës./voa