Kina i fut hundët në Afganistan, ministri i Jashtëm takon talibanët
BKT
   Bota

Kina i fut hundët në Afganistan, ministri i Jashtëm takon talibanët

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, të mërkurën u takua me shefin politik të talibanëve të Afganistanit, Mullah Abdul Ghani Baradar, për bisedime rreth paqes dhe sigurisë rajonale.

Takimi, që u zhvillua në qytetin verior kinez, Tianjin, ishte pjesë e vizitës dyditore në Kinë të delegacionit taliban me nëntë anëtarë. Ata e zhvilluan vizitën me ftesë të Pekinit.

“Politika, ekonomia dhe çështje e lidhura me sigurinë e të dyja vendeve dhe procesi i paqes u diskutuan në takime”, tha zëdhënësi i talibanëve, Mohammed Naeem.

Ministria e Jashtme e Kinës e citoi ministrin Yi të ketë thënë se talibanët pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e pajtimit paqësor dhe rindërtimit në Afganistan, shkruan Independent.

Kryediplomati kinez tha se shpreson që talibanët do ta shtypin Lëvizjen Islamike të Turkestanit Lindor, sepse ajo është “kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Kinës”. Kina thotë se kjo lëvizje është aktive në rajonin Xinjiang.