Qeveria afgane po përballet me ‘krizë ekzistenciale’

Qeveria afgane po përballet me ‘krizë ekzistenciale’

Qeveria afgane në Kabul ndodhet në prag të mbijetesës dhe mund të bjerë në duart e talebanëve pasi Shtetet e Bashkuara të përfundojnë tërheqjen ushtarake nga ky vend në gusht.

Ky është vlerësimi i një vëzhguesi të qeverisë amerikane, i ngarkuar për të monitoruar ngjarjet në terren.

Pavarësisht nga një seri vlerësimesh optimiste, ndonëse me rezerva, të dhëna nga zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane dhe udhëheqësit afganë, një raport i ri nga Inspektori i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit (SIGAR) e përshkruan situatën si “të zymtë” dhe u bën jehonë shqetësimeve se forcat afgane të sigurisë nuk janë të gatshme të bëjnë ndonjë rezistencë domethënëse.

“Prirja e përgjithshme është qartësisht e pafavorshme për qeverinë afgane, e cila mund të përballet me një krizë ekzistenciale nëse situata nuk adresohet dhe nuk ka kthim prapa,” shkruan Inspektori i Përgjithshëm i Posaçëm John Sopko në raportin e publikuar të mërkurën.

Që kur Presidenti Joe Biden njoftoi në prill se trupat luftarake amerikane do të largohen nga Afganistani, zyrtarët amerikanë kanë qenë të kujdesshëm për të mos minimizuar sfidën me të cilën përballet qeveria afgane.

Vetëm të dielën e kaluar, kreu i Komandës Qendrore Amerikane, Gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie, u tha gazetarëve në Kabul se qeveria afgane “përballet me një provë të vështirë”.

Por ai shtoi se pavarësisht përpjekjeve nga Talibanët për të krijuar idenë se ardhja e tyre në pushtet është e pashmangshme, ajo nuk është domosdoshmërisht e tillë, tha gjenerali.

Presidenti afgan Ashraf Ghani ka thënë se ushtria afgane do të jetë në gjendje të përqendrojë përpjekjet e saj në mbrojtjen e zonave urbane.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë përmes sulmeve ajrore në mbështetje të forcave afgane, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara nuk kanë më avionë të vendosur në Afganistan. Zyrtarët kanë premtuar se sulmet do të vazhdojnë nëse talibanët nuk sprapsin ofensivën e tyre ushtarake.

Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm megjithatë, paralajmëron se Talibanët nuk kanë dhënë asnjë arsye për të besuar se ata do të heqin dorë nga sulmet e tyre.

Raporti sugjeron gjithashtu që Talibanët, duket se kanë një avantazh psikologjik.

Zyrtarët ushtarakë të NATO-s thonë se njësitë e Ushtrisë Kombëtare Afgane zakonisht refuzojnë të kryejnë operacione pa praninë e forcave speciale afgane.

Për më tepër, në raport thuhet se kur forcat speciale dërgohen në operacione, “ato janë keqpërdorur për të kryer detyra të destinuara për forcat konvencionale, siç është pastrimi i rrugëve”.

Raporti përsërit gjithashtu paralajmërimet e mëparshme se forca ajrore afgane është “e mbingarkuar” dhe nuk ka të ngjarë të jetë në gjendje të përballojë ritmet aktuale të operacioneve.

Forca ajrore afgane, në veçanti, ka qenë e varur nga kontraktorët e qeverisë amerikane për mirëmbajtje dhe logjistikë. Por që nga muaji i kaluar, Inspektori i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit njoftoi se numri i kontraktorëve ishte përgjysmuar për shkak të tërheqjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara./VOA


MË SHUME NGA Bota